Kryeministri Rama i dërgon mesazh të koduar opozitës

Rama mesazh “të koduar” për opozitën: Ja si flitet kur i shërben sinqerisht vendit

Kryeministri Edi Rama me anë të një video të postuar në Facebook i ka përcjellë një mesazh opozitës për pas debateve të fundit në distancë për sa u përket masave të ndërmarra për Covid-19.

Video që ka postuar Rama është një mesazh nga lideri i opozitës në Portugali, ndërsa e shoqëron me mesazhin ”Ja si flet opozita kur i shërben sinqerisht vendit dhe popullit, në këtë luftë që ka përfshirë mbarë botën në mbrojtje të jetës së njerëzve”.

‘Për mua në këtë betejë, nuk është qeveria e partisë rivale, është qeveria e Portugalisë të cilën të gjithë duhet ta ndihmojmë në këtë momentet, duhet ta mposhtim këtë fatkeqësi. Ne sot nuk jemi opozitarë por bashkëpunëtorët tuaj.

Në këtë moment duhet të jemi të gjithë ushtarë të gatshëm për të ndihmuar në këtë betejë. Të ndihmojmë që Portugalia të fitojë me sa më pak humbje. Zoti Kryeministër keni bashkëpunimin e opozitës, do të ndihmojmë me çfarë mundemi. Ju uroj kurajo, nerva dhe shumë fat. Sepse fati juaj është fati ynë”, thekson lideri i opozitës në Portugali në videon e postuar nga Rama.