Kryeministrja e Zelandës së Re zotohet për reforma në ligjin e armëve

"Realiteti është se pas orës 13:00 të premten, bota jonë ndryshoi përgjithmonë dhe po ashtu edhe ligjet tona", tha Ardern në një konferencë për shtyp

Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern sot paralajmëroi reforma në ligjet e armëve në vend, pas sulmeve terroriste të së premtes në dy xhami që la të paktën 50 të vdekur në Christchurch, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Realiteti është se pas orës 13:00 të premten, bota jonë ndryshoi përgjithmonë dhe po ashtu edhe ligjet tona”, tha Ardern në një konferencë për shtyp të transmetuar nga televizioni shtetëror i Zelandës së Re.

Ardern tha se detajet e ndryshimeve do të shpallen javën e ardhshme.

“Kjo në fund të fundit do të thotë se brenda dhjetë ditëve nga ky akt terrorist, ne do të kemi shpallur reforma të cilat, sipas mendimit tim, do ta bëjnë komunitetin tonë më të sigurt”, tha Ardern.

“Nëse duam të garantojmë sigurinë e muslimanëve dhe të tjerëve … duhet të kemi parasysh faktin se ka nga ata që nuk ndajnë vlerat tona të të qenit të hapur”, shtoi ajo.

Të paktën 50 persona u vranë javën e kaluar kur një terrorist hapi zjarr mbi besimtarët gjatë namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch të Zelandës së Re.