Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel për targat

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç do të takohen këtë të mërkurë në Bruksel, për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Takimi do të zhvillohet me ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ky takim, vjen vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell,e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.