Kryeparlamentari turk në Shkup: Midis njerëzve që flasin gjuhën e njëjtë nuk ka distancë gjeografike

Mustafa Şentop mori pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia u organizua nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoninë e Veriut (MATUSITEB), me mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Shkup, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Drejtorisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) dhe Institutit Yunus Emre – Shkup.

Në ceremoni të pranishëm ishin edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeparlamentari Talat Xhaferi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, deputetë, politikanë, si dhe përfaqësues të komunitetit akademik dhe sektorit joqeveritar.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari turk tha se me vete ka sjellë përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe 83 milionë qytetarëve të Turqisë.

“Gjuha është shtëpia e ekzistencës sonë. Midis njerëzve që flasin gjuhën e njëjtë nuk ka distancë gjeografike”, tha Şentop.

“Mund të themi se po të mos ishte turqishtja, ne mbase nuk do të mund të flisnim jo për ekzistencën tonë sot, por as për ekzistencën tonë në histori. Nëse nuk do të ishte gjuha, letërsia dhe veprat tona të shkrimit, edhe ne do të harroheshim në rrjedhën e historisë dhe do të ishim në rafte duke na mbuluar me legjenda me pluhur, siç u ka ndodhur shumë kombeve”, theksoi kryetari i parlamentit turk.

“Gjatë periudhës osmane, nuk kemi vetëm shtetarë dhe politikanë nga Rumelia, por edhe emra të vlefshëm në fushën e artit/letërsisë kanë vazhduar të zhvillohen deri në periudhën e fundit. Yahya Kemal Beyatlı dhe Mehmet Akif Ersoy, a është e mundur të përshkruhet kontributi i këtyre dy poetëve, bajraktarëve të gjuhës turke, për letërsinë turke?”, shtoi më tej ai.

Ai tha se poeti nga Shkupi, Yahya Kemal, i cili ka krijuar ura shpirtërore midis Shkupit dhe Stambollit dhe Turqisë dhe Ballkanit, ende vazhdon të përkujtohet me nder.

Şentop përkujtoi edhe Sami Frashërin, për të cilin tha se është personalitet që ka shkruar fjalorin e parë të gjuhës turke, enciklopedinë e parë, si dhe romanin e parë në turqishte.

“Maqedonia e Veriut, vend me rëndësi të veçantë në Ballkan”

Në vazhdimin e fjalës së tij, Şentop tha se Maqedonia e Veriut, më të cilën kanë lidhje të fuqishme, është vend me rëndësi të veçantë në Ballkan.

“Ka shumë arsye që miqësia mes nesh të zhvillohet më tej. Por midis këtyre arsyeve, afërsitë kulturore kanë një peshë të veçantë”, theksoi ai.

“Turqia është vend i fuqishëm dhe vlera e miqësisë pranohet nga të gjitha palët e rëndësishme. Jemi vend që japim përpjekje për të qëndruar pranë të mirës, të vërtetës dhe drejtësisë. Këtë e panë të gjithë, miq apo armiq, gjatë periudhës së pandemisë. Avionët tanë, duke dërguar materiale shëndetësore në qiejt e qindra vendeve, treguan flamurin e vendit tonë dhe të mirësisë. Kjo për ne është çështje krenare. Çfarë qëllimi tjetër mund të kemi pos dëshirës për mbizotërimin e së mirës dhe zvogëlimin e së keqes dhe zullumit?”, shtoi kryeparlamentari turk.

Şentop theksoi se Maqedonia e Veriut ofron një strukturë shembullore jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë Evropën.

“Është një vend shembullor që ka krijuar mjedis ku njerëzit me prejardhje të ndryshme etnike, kulturore dhe gjuhësore jetojnë së bashku. Në atë aspekt, Republika e Maqedonisë së Veriut është shteti i sigurisë së Ballkanit dhe Evropës. Gjatë historisë, ne kemi jetuar së bashku jo vetëm me të afërmit tanë që jetojnë këtu, por edhe me komunitetet mike dhe fqinjët tanë. Ne ende e ndiejmë atë afërsi, atë interesim, atë bashkësi në pjesën më të thellë të zemrave tona. Rroftë vëllazëria dhe miqësia midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë”, deklaroi kryetari i parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop.