Kukës/ Po transportonte emigrantë të paligjshëm, pranga 60-vjeçarit

Vijon operacioni policor i koduar “Morina”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Morina”, si dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, goditën një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:

-P. T., 60 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u arrestua në flagrancë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Gostilit”, duke transportuar me automjetin tip “Opel”, 4 emigrantë të paligjshëm, për t’i kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër, drejt Kosovës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Opel”, një aparat celular dhe 200 euro të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.