Kur kursejnë më shumë shqiptarët? – Në gusht dhe dhjetor, ndërsa pranvera sjell më pak para “mënjanë”

Të dhënat tregojnë se, muaji gusht rezulton të jetë ai me rritjen më të madhe mujore të depozitave, ndërkohë që edhe dhjetori rezulton të ketë norma të larta rritje.

Norma e rritjes mujore të depozitave është indikatori më i besueshëm i kursimit. “Scan” ka analizuar shifrat e Bankës së Shqipërisë që nga viti 2007 për të kuptuar pikërisht qasjen e shqiptarëve ndaj kursimit.

Nga analizimi dhe përpunimi i imtësishëm i të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sa i përket totalit të depozitave në sistemin bankar vendas, si në lek ashtu edhe në valutë, dalin në pah edhe të dhëna mjaft interesante sa i përket periudhës së vitit kur shqiptarët kursejnë më shumë apo edhe më pak.

Të dhënat tregojnë se, muaji gusht rezulton të jetë ai me rritjen më të madhe mujore të depozitave, ndërkohë që edhe dhjetori rezulton të ketë norma të larta rritje.

Këto dy muaj përkojnë jo rastësisht me periudhën e rikthimit të emigrantëve në atdhe, kur edhe remitancat janë për rrjedhojë më të larta.

Sa i përket muajve ku kursimi duket të jetë më i ulët, periudha mars-prill-maj-qershor duket të jetë ajo që ka frekuencën më të lartë ndër muajt me rënien më të madhe të depozitave të shqiptarëve në sistemin bankar. /Scan