Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje shpall fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Kurti theksoi se dialogu me Serbinë nuk radhitet ndër prioritetet e qytetarëve, duke shtuar se prioritet i tij mbetet drejtësia dhe hapja e vendeve të reja të punës....

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij në këto zgjedhje të teta në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Kurti, partia e të cilit sipas rezultateve fillestare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka grumbulluar 47,75 për qind të votave, foli në një konferencë të përbashkët për media para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë së bashku me ushtruesen e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, iniciativa politike e së cilës u përfshi në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, duke përfshirë edhe oponentët politikë “për garën fer dhe pa incidente”, të cilëve u uroi “reformë të suksesshme”.

“Kjo fitore madhështore sonte, është vetëm mundësia që ne ta fillojmë ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë e shumë angazhim, se vendi është në krizë të shumëfishtë. Rruga përpara është e gjatë, do të kemi pengesa do të bëjmë ndonjë gabim, por qëllimin e kemi të mirë e fisnik dhe unë çdoherë do të jem i hapur me ju”, tha Kurti, duke shtuar: “Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësinë ndaj secilit e kudo. Pra, drejtësi pa hakmarrje”.Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje shpall fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Mes tjerash, Kurti tha se secili duhet të merr përgjegjësinë që i takon, duke u zotuar për drejtësi institucionale, luftim të korrupsionit dhe përgjegjësi individuale.

“Kjo ditë do të mbahet mend si dita kur populli tejkaloi ndarjet, përçarjet dhe politikanët, foli me një zë dhe mori fatin e vet në duart e veta”, u shpreh Kurti.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti u shpreh se “nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë”. Ai theksoi se dialogu me Serbinë nuk radhitet ndër prioritetet e qytetarëve, duke shtuar se prioritet i tij mbetet drejtësia dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Ndërkaq, Osmani zgjedhjet e sotme në Kosovë i vlerësoi si “fitore plebishitare” të cilat, siç theksoi ajo, dëshmuan se ndryshimet në Kosovë mund të arrihen.

“Sot Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë për gjithë qytetarët e saj. Sot, zëri juaj kumboi si kurrë më parë. E kemi pritur të gjithë gjatë këtë ditë, por sot vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur dhe të dëshiruar”, tha Osmani.

Osmani pretendon postin e presidentes me mandat të plotë. Ajo u zotua se do të kthejë besimin në institucione.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës garuan 28 subjekte politike, prej të cilave 21 ishin parti politike, dy koalicione dhe 5 nisma qytetare. Gjithsej 1.052 kandidatë nga këto 28 subjekte politike kandiduan për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve fillestare të KQZ-së, nga 91,56 për qind të votave të numëruara Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 47,66 për qind, duke pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,30 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13.42 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7,57 për qind.

Rezultatet e KQZ-së tregojnë se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e sotme ishte 47,08 për qind, respektivisht 844.257 nga gjithsej 1.794.862 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore, por këto shifra nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato nga diaspora.

Këto zgjedhje të teta parlamentare që pas luftës së vitit 1999 u shpallën pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se formimi i qeverisë së qershorit të vitit të kaluar ishte jo-kushtetues, e cila mohoi votën vendimtare të një deputeti në seancën parlamentare për votimin e qeverisë së re, të kryesuar nga Avdullah Hoti i LDK-së.​​​​​​​