Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton konkluzionet për propozimin francez

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet që e obligojnë Qeverinë të vazhdojë procesin me Bashkimin Evropian (BE) dhe të miratojë kornizën e negociatave për negociatat e anëtarësimit me BE-në e propozuar nga Presidenca e Francës me Këshillin e BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e 81-të të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, u diskutua për informacionin për përmbajtjen e propozimit për kornizën negociuese për negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në, të propozuar nga Presidenca e Francës me Këshillin e BE-së më 30 qershor 2022. Nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi, 69 ishin të pranishëm në votim, nga të cilët 68 deputetë votuan ‘pro’ dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Me konkluzionet e miratuara duhet të zhbllokohet integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut.

Deputetët e opozitës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja pas debatit në Kuvend e braktisën sallën e Kuvendit dhe nuk votuan për konkluzionet.

Ndërkohë teksa po diskutohej në Kuvend, një grup qytetarësh protestuan para Kuvendit kundër propozimit francez me sloganin “Ultimatum, jo faleminderit”.

Në Kuvend, deputetët tre ditë debatuan për përmbajtjen e Propozimit për kornizën negociuese për negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Gjatë debatit pati akuza të ndërsjella mes deputetëve të shumicës dhe opozitës ndërsa në disa momente debati merrte kontekst të tensionuar.

Deputetët e shumicës theksuan se korniza negociuese ofron anëtarësim të plotë në BE dhe se gjuha dhe identiteti maqedonas janë të garantuara.

Pas votimit të konkluzioneve në Kuvend, lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, mbajti konferencë për media. Ai theksoi se “protokolli përmban në mënyrë eksplicite kërkesat për bullgarizim” dhe se “tani kërkesat asimiluese bullgare për ndryshimin e teksteve shkollore, për ndryshimin e historisë janë bërë kusht për hyrjen në BE dhe derisa ato të përmbushen nuk mund të fillojnë negociatat”.

“Informacioni që kaloi në Kuvend nuk ka kuptim sepse korniza miratohet nga Qeveria, por detyrimet që dalin nga korniza e negociatave, që është ndryshimi i Kushtetutës me qëllim të përfshirjes së bullgarëve në të, nuk do të kalojnë në Kuvendin maqedonas. Garanci për këtë janë VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni”, tha Mickoski dhe porositi: “Nuk do të ndryshohet Kushtetuta, nuk do të pranohet korniza e negociatave”.

Pas votimit të tyre në Kuvend, konkluzionet i dërgohen për miratim Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Informacioni për përmbajtjen e Draft-kornizës negociuese për negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE-në u propozuan nga Presidenca franceze me Këshillin e BE-së më 30 qershor të këtij viti.

Fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në është bllokuar nga vetoja bullgare që nga nëntori i vitit 2020 për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën dhe historinë. Një vit më parë, gjegjësisht në vitin 2019, rruga evropiane e dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u bllokua nga Franca, e cila kërkoi ndryshimin e metodologjisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në.