Kuvendi miraton ligjin për Eurobondin

Financimi që Qeveria do të sigurojë nga Eurobondi do të shërbejë për të vijuar financimin e reformave, projekteve prioritare dhe aktiviteteve ri-financuese të vendit.

Kuvendi ka miratuar sot ne seancë plenare Ligjin për Eurobondin që do të emetohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Ministrja e Financave, Anila Denaj tha se emetimi i Eurobondit në vitin 2020, është parashikuar në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, miratuar nga Qeveria Shqiptare dhe prezantuar në Parlament edhe përgjatë diskutimeve për Buxhetin e vititi 2020.

Financimi që Qeveria do të sigurojë nga Eurobondi do të shërbejë për të vijuar financimin e reformave, projekteve prioritare dhe aktiviteteve ri-financuese të vendit.

Përgjatë viteve, emetimet e Qeverisë Shqiptare kanë qënë gjithmonë e me kosto më të ulëta, si rrjedhojë e kredibilitetit të rritur të Shqipërisë në sytë e investitorëve.

“Së bashku me Bankat prestigjoze ndërkombëtare, që na mbështesin në këtë proces synojmë një shpallje të shpejtë të Eurobondit të Shqipërisë, në linjë edhe me politikat monetare të Bankës së Shqipërisë dhe me efekt pozitiv në rezervave valutore dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në afatin e shkurtër e të mesëm”, tha Denaj.

Qeveria synon të emetojë eurobond me vlerë 650 milionë euro, nga të cilat 200 milionë euro është rifinancim dhe pjesa tjetër është borxh i ri. /Monitor