La Liga del “kundra” Leo Messi-t,

Liga spanjolle jep lajmin që do të gëzojë të gjithë tifozët e Barcelonës…

Padyshim që lajmi më i bujshëm në këtë merkato janë zërat që e lidhin yllin e futbollit Lionel Messi-n larg klubit që e bëri të njohur.

E gjitha mesa duket nisi në humbjen dramatike që Barcelona pësoi në “Champions”, me rezultatin 8-2 në favor të Bayern Munich-ut. Shumë janë ekipet që janë interesuar për sulmuesin argjentinas, duke nisur që nga Manchester City, e deri tek Interi, dy nga ekipet më favorite për të nënshkruar me lojtarin. Në Manchester, Messi do të gjente Pep Guardiolën, me të cilin ruan një marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe fitoi gjithçka që mund të fitosh në një klub.

Ndërsa në Milanon zikaltër, do të gjejë tifozë të ekzaltuar për një lojtar që e kanë pas dashur që në fillimet e karrierës. Në kontratën aktuale që ka nënshkruar me Barcelonën thuhet se klauzola për largimin e lojtarit është 700 milionë euro. Megjithatë vetë Messi, pretendon se në kontratë është shkruar që nëse lojtari kërkon largimin nga klubi në përfundim të sezonit, atëherë ai është i lirë të largohet pa as edhe një cent nga Katalonja. Por në kontratë është shkruar gjithashtu se kjo kërkesë duhet të bëhet gjatë periudhës mars-maj. Duke qenë se karantina shtyu dhe përfundimin e kampionatit, Messi shpreson që edhe kërkesa e shkruar në kontratë të shtyhet bashkë me të.

Ndërkaq, liga elitare e futbollit spanjoll, La Liga, ka vendosur që të mbajë anë në këtë “përplasje” Messi-Barcelona dhe t’i dalë në krahë ekipit blaugrana. La Liga ka mbështetur klubin dhe ka argumentuar se mënyra e vetme për ta parë Mess-in larg Barcelonës është nëse paguhet klauzola e tij me vlerë 700 milionë euro.

“Në lidhje me situatën e kontratës së Lionel Messit dhe Barcelonën, La Liga e sheh të arsyeshme të sqarojë se: Kontrata është në fuqi dhe ka një klauzolë largimi, e aplikueshme në rast se Lionel Andres Messi, vendos të largohet para kohe me vendim të njëanshëm. La Liga nuk do të japë leje për çregjistrimin e lojtarit nga federata, nëse shuma e caktuar në kontratë nuk paguhet”.