Liderët e BE-së diskutojnë masat kundër terrorit

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili inicoi video-takimin, bëri thirrje për forcimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për një bashkëpunim më të ngushtë të sigurisë midis vendeve anëtare të bllokut

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) kanë diskutuar masat kundër terrorit në Evropë pas sulmeve të fundit në Francë dhe Austri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili inicoi video-takimin, bëri thirrje për forcimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për një bashkëpunim më të ngushtë të sigurisë midis vendeve anëtare të bllokut.

“Çdo boshllëk i sigurisë në një vend anëtar është rrezik i sigurisë për të gjithë të tjerët”, tha Macron në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, duke propozuar reformë mbi rregullat pa viza të zonës Shengen të BE-së dhe bashkëpunim më të ngushtë midis policisë dhe organizatave të intelegjencës.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili takoi presidentin francez në Paris para takimit online, paralajmëroi se Evropa po përballet me një kërcënim në rritje për shkak të luftëtarëve të huaj dhe ekstremistëve fetarë.

“Ka mijëra luftëtarë të huaj që u bashkuan me DEASH-in në Siri ose Irak dhe më vonë u kthyen në Evropë”, tha Kurz, duke shtuar se shumë prej tyre që janë në burg do të lirohen në muajt dhe vitet e ardhshme.

“Kjo është një bombë me sahat. Nëse duam të mbrojmë liritë tona, atëherë duhet të kufizojmë lirinë e këtyre njerëzve. Kjo kërkon veprim të fuqishëm në të gjitha vendet evropiane kundër këtyre njerëzve të rrezikshëm, sepse terroristët nuk i njohin kufijtë tanë”, shtoi Kurz.

Kurz po ashtu bëri thirrje për një përgjigje në të gjithë Evropën ndaj rrënjëve ideologjike të ekstremizmit të dhunshëm dhe shtoi se evropianët duhet të kundërshtojnë grupet radikale dhe “Islamin politik”.Liderët e BE-së diskutojnë masat kundër terrorit

Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se urrejtja, ekstremizmi dhe terrorizmi janë çështjet kyçe shoqërore me të cilat përballet jo vetëm Franca dhe Austria, por të gjitha vendet evropiane.

“Ky nuk është një konflikt midis të krishterëve apo muslimanëve”, theksoi Rutte, duke paralajmëruar kundër damkosjes së muslimanëve dhe migrantëve në Evropë përderisa po ndërmerren veprime kundër ekstremistëve.

“Ne kurrë nuk duhet të krijojmë ose ushqejmë diskursin në shoqëritë tona duke veçuar grupe njerëzish për shkak të origjinës së tyre apo fesë të tyre”, shtoi Rutte.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel dhe shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu morën pjesë në takim.