Liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës mesazhe urimi për Kurban Bajramin

Liderët e vendeve të rajonit kanë uruar besimtarët muslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit...

Zyrtarët e lartë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës kanë uruar besimtarët muslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, transmeton Anadolu Agency(AA).

– Presidenti Pendarovski uron komunitetin musliman për Kurban Bajram

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka uruar ushtruesin e detyrës kryetar i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu, si dhe të gjithë qytetarët e besimit islam në vend me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Uroj kjo festë e madhe të na sjellë lumturi, gëzime, dashuri dhe bereqet, edhe si festë e dhurimit dhe solidaritetit ta na inspirojë që t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje materiale, por edhe shpirtërore. Bamirësia dhe altruizmi qofshin pjesë të jetëve tona jo vetëm për ditët e festave, por gjatë gjithë vitit”, tha Pendarovski në urimin e tij.

Duke iu referuar situatës së shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19), Pendarovski apeloi që me patjetër të tregohet unitet dhe mirëkuptim, duke shprehur shpresë se pikërisht me fuqinë e lutjeve dhe me dashuri do të tejkalohen të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohemi në plan personal dhe kolektiv.

“Në përputhje me traditat për respektimin dhe nderim të ndërsjellë, të kujdesemi dhe të ndihmojmë pa kushte të gjithë bashkëqytetarët tanë duke mos marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare dhe ideologjike. Të vazhdojmë ta ndërtojmë dhe ta ruajmë shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Pendarovski. Liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës mesazhe urimi për Kurban Bajramin

– Meta: Besimtarët muslimanë sjellin mesazhin e mirëkuptimit, solidaritetit dhe vëllazërisë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale shkruan se Kurban Bajrami është përkujtimi i shëmbëlltyrës sublime të sakrificës për jetën dhe lirinë.

“Në këtë ditë feste, besimtarët muslimanë sjellin mesazhin e mirëkuptimit, solidaritetit dhe vëllazërisë. Një rit, një ndjenjë, një ideal, larg egoizmave, me qëllimin e përbashkët të respektit, tolerancës dhe dashurisë, rikthimin tek vlerat e shenjta të jetës, lirisë dhe drejtësisë”, ka shkruar Meta.

Ndërsa edhe kryeministri Edi Rama, urimin e tij “Gëzuar Kurban Bajramin” drejtuar besimtarëve muslimanë e ka përcjellë në rrjetet sociale.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij shprehet se “Besimtarëve muslimanë, në Shqipëri dhe në Diasporë, u uroj Gëzuar festën e bukur të Kurban Bajramit”.

“Jam i bindur se, me përpjekjet e kujdesin tuaj dhe me ndihmën e besimit, gëzimi do ta mundë dëshpërimin dhe shpresa do ta mposhtë frikën”, ka theksuar Ruçi duke iu drejtuar besimtarëve muslimanë, sipas njoftimit të publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

– Thaçi: Kurban Bajram qoftë një festë me shumë solidaritet

Në urimin e tij publikuar në rrjetet sociale, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan: “Një festë me shumë solidaritet, mirëkuptim e harmoni për njëri-tjetrin qoftë ky Kurban Bajram”.

“E kemi kaluar gjithherë të bashkuar, por në këto ditë të vështira nëpër të cilin po kalon populli ynë dhe tërë bota për shkak të pandemisë, këtë herë duhet ta kalojmë duke e ruajtur distancën fizike dhe shëndetin e më të dashurve tanë. Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve muslimanë”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkohë, një mesazh urimi ka përcjellë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili duke iu drejtuar besimtarëve shkruan: “Uroj dhe lutem që të keni shëndet të mirë ju dhe familjet tuaja. Dua të besoj se festat e ardhshme do t’i presim në një situatë krejt normale, pa pandemi, me gëzime e me sfidat e zakonshme që ka jeta. Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin.”

Edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit, e cila thekson se “Edhe ky Bajram na gjeti larg njëri-tjetrit, por afër me zemër dhe me urimin për ditë më të mira”.