Emrave të listës së deputeteve opozitarë që do qëndrojnë në Kuvend iu bashkua edhe Ligoraq Karamelo, i PBDNJ, i cili e merr mandatin nga lista e PD.
Në studion e “Open”, ai deklaroi se që në momentin e parë djegien e mandateve e ka cilësuar anti-ligjor dhe e vlerëson si një vendim anti-shqiptar.
“Që në momentin e parë djegien e mandateve e kam cilësuar anti-ligjor dhe e vlerësoj si një vendim anti-shqiptar. Që në momentin që mandati i deputetit konsiderohet si një “portofol” i një personi, e ka humbur kuptimin e tij”, tha Karamelo.
Më tej ai shton se iu drejtua votuesve të tij në Qarkun e Korçës, e mori mbështetjen e tyre.
“Unë iu drejtova votuesve të qarkut të Korçës. Jam i detyruar të respektoj verdiktin e tyre. Kjo rrugë duhej të ishte bërë nga të gjithë”, tha ai.
Teksa ka shprehur hapur se do ta pranojë mandatin e deputetit, Ligoraq Karamelo, i cili do të përfaqësojë opozitën e re në Parlament, thekson në “Open se zgjedhjet e 2017-s janë legjitime.
“Zgjedhjet e 2017-s janë zgjedhje legjitime”, u shpreh ai, duke theksuar se legjitimitein e zgjedhjeve nuk e përcaktojnë palët politike në Shqipëri, por ndërkombëtarët.
“Unë gjykoj, se këtu kemi një rreth vicioz. Pas 2 viteve, papritur shkrep një rrufe dhe themi se zgjedhjet nuk ishin të rregullta”, tha Karamelo, i cili mendon se “E mira do të ishte që opozita të fokosohej tek skandalet e dala së fundmi”.



