Vendimi i qeverisë për librat falas për të gjithë nxënësit e klasave I – II – III – IV (dhe vitin tjetër edhe V) jo vetëm kthen tek qytetarët 600 milionë lekë të taksave, por ofron tekste të një cilësie të lartë. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla theksoi në takimin me prindër e nxënës në Vlorë se tekstet e reja do të zhbëjnë katrahurën që qeveria gjeti në Arsim.
Ajo e vuri theksin se librat e rinj nuk janë vetëm falas për 190 mijë fëmijë, po ashtu si për të gjithë sistemin parauniversitar, por janë tanimë një paketë krejt e re tekstesh nga Oxford, Cambridge, Pearson.
“Ekspertiza arsimore kishte vlerësuar kurrikulat, planin mësimor dhe tekstet ku thuhej se mungon vizioni, arsimi shqiptar më i ngarkuari në Europë, programet e mbingarkuara, përqendrim tek mësimi përmendsh dhe aspak praktik. Objektivat cilësoheshin të papërshtatshme me moshën, ishin 300 faqe problematika për sistemin arsimor”, theksoi Nikolla.
Ajo vuri në dukje se me tekstet e reja i është dhënë fund këtij sistemi. “Tashmë kemi një sistem që ka vizion, të ndërlidhur dhe me koherencë midis cikleve. 30 % lehtësim të ngarkesës dhe mbi të gjitha standarde europiane”, vuri në dukje ajo, raporton ATSH.
“Në kaosin e 1310 teksteve pa lidhje me standardet ndërkombëtare, të mbingarkuara, çoroditëse për nxënësit e prindërit, mësuesit refuzuan 600 tekste. Ne i pyesim mësuesit edhe për rezultatet tona”, theksoi Nikolla, duke shtuar se asnjë libër nuk licencohet për katalog pa kaluar provën e mësuesve.
“Po merrni merrni tekste shumë të vyera, pasuri e shkollës të cilat vitin e ardhshëm do të kalojnë në duart e nxënësve të tjerë”, përfundoi Nikolla, duke iu drejtuar nxënësve të pranishëm në takimin e Vlorës.



