Lirohet nga burgu ish-drejtori i RTSH-së

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi është liruar nga burgu të martën.

Vendimi është marrë nga GJKKO, që pranoi kërkesën e avokatit Dorian Matlia. Lirimi i Gëllçit u bë për shkak se i kanë mbaruar afatet e dënimit.

Ndërkohë, çështja ndaj tij do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit ku ish-drejtori i RTSH-së kërkon pafajësinë.

Ai bashkë me tre punonjës, që po ashtu janë liruar, akuzohen për pabarazi në tenderë dhe abuzim me detyrën në kohë kur Gëllçi ishte në detyrë.

Shkelja bën fjalë për një tender të vitit 2018 me fond prej 86 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, ku tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Alban Malaveci, Ervin Muraj dhe Julian Tapia akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë.

Nga hetimet gjithashtu ka rezultuar se Thoma Gëllçi si ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi dhe akuzohet për shpërdorim detyre.

Ai u arrestua më 8 tetor gjatë një operacioni të SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.