Liverpuli merr goditjen e rëndë, ylli i ekipit i nënshtrohet operacionit në gju

Gjasat janë që Van Dajk të kthehet në fund të sezonit, por gjithçka varet nga faza e rikuperimit.

Futbollisti i Liverpulit Virxhil Van Dajk do të qëndrojë për një kohë të gjatë larg fushave. Mbrojtësi holandez do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e djathtë pas u dëmtua dje në derbin e “Merseyside”-it kundër Evertonit.

Kampionët në fuqi të Anglisë konfirmuan lajmin në faqen zyrtare, por nuk saktësuan kohën kur ai mund të rikthehet. Gjasat janë që Van Dajk të kthehet në fund të sezonit, por gjithçka varet nga faza e rikuperimit.

Në sfidën e përfunduar dje 2-2, qendërmbrojtësi u dëmtua në minutën e gjashtë nga portieri i Evertoni Xhordan Pikford, i cili i ndërhyri në mënyrë të ashpër në gju Van Dajkut. Pas 6 minutash lojë, ai u detyrua të linte ndeshjen.