Maas: Moslargimi i Turqisë nga Evropa është në interesin tonë

"Sigurisht që Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Për këtë arsye është një vendim i drejtë që të forcohet bashkëpunimi në politikën e sigurisë", tha Maas

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi se Turqia është një partner i rëndësishëm në NATO dhe moslargimi i saj nga Evropa është në interesin e evropianëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për portalin e lajmeve Delfi, ministri Maas vlerësoi diskutimet e bëra lidhur me NATO-n, ku ai tha se NATO është aleanca mbrojtëse më e suksesshme në histori.

“NATO ofron sigurinë euro-atlantike prej 70 vitesh dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Pasi Rusia aneksoi Krimenë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar NATO u adoptua me mjedisin e sigurisë ndërkombëtare që ndryshon me shpejtësi. Është e vërtetë që muajt e fundit kemi përjetuar testin e stresit dhe që vështirësitë në çështjen e politikës së sigurisë sot janë më të ndryshme se ato të dhjetë viteve më parë, por ne të gjithë kemi për detyrë që të zhvillojmë strategjikisht NATO-n”, tha Maas.

Në pyetjen lidhur me operacionin “Burimi i Paqes” që ka ndërmarrë Turqia, ministri gjerman tha se kjo është një çështje ku janë angazhuar intensivisht në lidhje me situatën në veri të Sirisë. “Për këtë arsye është mirë që të bisedojmë me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Aktualisht ka dallime me Ankaranë, por Turqia është një partner i rëndësishëm në NATO dhe moslargimi i saj nga Evropa është në ineteresin tonë”, tha Maas.

Përkundër deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron se “NATO-s i ka vdekur truri”, Maas tha se mendon që do të jetë i dobishëm një mekanizëm që të forcojë NATO-n.

Maas tërhoqi vëmendjen se në vend të një strukture për zëvendësimin e NATO-s, më shumë nevojë ka për një strukturë evropiane që të forcojë më shumë NATO-n.

“Sigurisht që Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Për këtë arsye është një vendim i drejtë që të forcohet bashkëpunimi në politikën e sigurisë, por duhet të jetë një strukturë që të forcojë të gjithë NATO-n dhe jo një strukturë që ta zëvendësojë atë”, theksoi Maas.