Maqedoni e Veriut, arrestohen 8 pjesëtarë të një organizate terroriste

Në bazë të urdhërit për kontroll në shtëpi dhe hapësira tjera të lëshuar nga një gjykatës i Gjykatës Themelore Penale-Shkup, janë kryer bastisje në tetë lokacione, prej të cilave pesë në Kumanovë dhe tre në Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se “pas hetimit disa mujor janë arrestuar tetë pjestarë të një organizate terroriste”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, Departamenti për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe serioz-Sektori për luftë kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit në koordinim me Agjencinë për siguri nacionale, Departamenti për operacione speciale policore, nën udhëheqësinë e prokurorit kompetent publik arrestoi tetë pjesëtarë të një organizate terroriste.

Në bazë të urdhërit për kontroll në shtëpi dhe hapësira tjera të lëshuar nga një gjykatës i Gjykatës Themelore Penale-Shkup, janë kryer bastisje në tetë lokacione, prej të cilave pesë në Kumanovë dhe tre në Shkup, me ç’rast janë gjetur dhe privuar nga liria tetë persona.

“Më 27.12.2020 nga ana e Departamentit për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe serioz deri të Prokuroria themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit është ngritur kallëzim penal kundër B.F (32) dhe J.K (25) nga Shkupi dhe I.M (22), D.A (21) P.A (31), S.I (31) dhe A.S (21) nga Kumanova për veprën e kryer penale ‘organizatë terroriste’ “, thuhet në njoftim.

Nga ministria e brendshme informojnë se personi me inicialet B.A nga Kumanova krijoi “organizatë terroriste në të cilën krahas të paraburgosurit paraprak B.A dhe E.L merrnin pjesë edhe tani të arrestuarit në bazë të matricës ideologjike të organizatës terroriste ISIS (DEASH) për kryerje të vrasjeve dhe shkatërrim të objekteve publike me qëllim që të krijohet ndjenja e pasigurisë ose frikës tek qytetarët”.

“Për të arritur këtë qëllim, anëtarët e grupit ndërmorën disa veprime përgatitore, siguruan burime financiare dhe armë, municione, pajisje ushtarake, përpunuan pajisje shpërthyese të improvizuara dhe më pas kryen qitje testuese dhe aktivizim të mjeteve shpërthyese të improvizuara dhe armëve”, theksohet në njoftimin.

Pjesëtarët e grupit terrorist për komunikim me njëri-tjetrin kryesisht përdorën platformën e internetit “Whats App” ku ndër të tjera dakorduan mënyrën e transportimit të armëve dhe mënyrën e përpunimit të rripave vetëvrasës.

“B.F. ka marrë pjesë në formacione paraushtarake jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut, si anëtar i organizatës terroriste ISIS (DEASH) në Siri”, thuhet në njoftim.