Maqedoni e Veriut, Lëvizja BESA njofton dorëheqjen e ministrave dhe zv/ministrave të saj

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Arjanit Hoxha, i cili është nga radhët e Lëvizjes BESA, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i ministrit, siç tha ai, për shkak të “cenimit të demokracisë” në zgjedhjet e fundit lokale në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoxha dorëheqjen e njoftoi në një konferencë për media para ndërtesës së qeverisë së Maqedonisë së Veriut, së bashku me zv/ministrin e Kulturës, Sadat Sulejmani dhe zv/ministrin e Shkencës dhe Arsimit, Arafat Shabani, të cilët po ashtu janë pjesë e Lëvizjes BESA.

“Për shkak të cenimit të demokracisë në zgjedhjet lokale nga një pjesë e këtij pushteti, me në krye zv/kryeministrin nga BDI-ja, ku u cenua e drejta e demokracisë në vend me metoda manipuluese që vazhdoi për fat të keq edhe gjatë ditës së djeshme, që ishte dita më e turpshme e demokracisë së këtij vendi, unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit së bashku me dy zv/ministrat në qeveri, pasi që nuk mund të identifikojmë veprimin tonë politik të Lëvizjes BESA me një partner koalicioni i cili po shihet qartë se përdor çdo veprim jodemokratik me të vetmin qëllim, mbetjen në pushtet”, tha Hoxha.

Siç theksoi ai, vendimi për dorëheqje është akt moral, por edhe duke respektuar organet partiake të Lëvizjes BESA.

“Në Lëvizjen BESA funksionojmë mbi parimin e krenarisë dhe dinjitetit. Pushteti për ne nuk është gjithçka. Për ne pushteti është mundësi për të treguar se mund të punohet në interes të qytetarëve”, tha Hoxha.

Lëvizja BESA ishte pjesë e koalicionit qeverisës deri në zgjedhjet e fundit lokale, pas të cilave vendosi të bashkohet me shumicën e pretenduar të re në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut duke nënshkruar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së bashku me deputetët e partive opozitare, VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës dhe Të Majtës.

Dorëheqja e ministrit Hoxha dhe dy zv/ministrave nga radhët e partisë së tij që të hyjë në fuqi duhet të konstatohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Hoxha ishte ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave që nga 30 gushti i vitit 2020, respektivisht në mandatin e dytë të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM).

Në zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura muajin e kaluar, Lëvizja BESA fitoi Komunën e Tetovës dhe Komunën e Zhelinës, ku rival kryesor kishte Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), parti e cila po ashtu është pjesë e koalicionit qeverisës.

Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe pas paralajmërimit për dorëheqje nga kryeministri Zaev, dorëheqje e cila më vonë u tërhoq me arsyetimin që vendi “mos të kalojë në një krizë politike”, dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut duhej të zhvillohej debati dhe votimi në lidhje me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, por i njëjti dështoi për shkak se në sallë nuk kishte kuorum të mjaftueshëm, respektivisht nuk ishin të pranishëm 61 deputetë nga gjithsej 120 sa i ka parlamenti i vendit.

Edhe pse opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja gjatë paraqitjes së mocionit kishte siguruar 61 nënshkrime të deputetëve, problemi qëndroi në atë se njëri prej deputetëve të Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, përmes rrjeteve sociale njoftoi se nuk do të votojë për rrëzimin e qeverisë dhe i njëjti nuk u paraqit në Kuvend, por as nuk e tregoi vendndodhjen e tij.

Deputetët e opozitës braktisën Kuvendin duke akuzuar pushtetin se “nëpërmjet metodave kriminale po tentojnë të qëndrojnë në pushtet”. Ata po ashtu kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, deputetë të shumicës parlamentare akuzuan opozitën për kërcënime ndaj deputetit Rexhepi si dhe shprehën bindjen se shumica parlamentare në të ardhmen do të zgjerohet.

Në fund të afatit kohor për mbylljen e seancës, respektivisht rreth mesnatës, kryeparlamentari Talat Xhaferi konstatoi se seanca është mbyllur dhe se opozita nuk ka arritur të formojë kuorum për rrëzimin e Qeverisë.