Në mesin e të riatdhesuarve gjenden 4 burra – “luftëtarë të huaj terroristë”, 5 gra dhe 14 fëmijë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se dje në mbrëmje vonë përfundoi me sukses procesin e riatdhesimit të shtetasve të saj nga Siria dhe Iraku për 4 burra – “luftëtarë të huaj terroristë”, 5 gra dhe 14 fëmijë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, procesi u zhvillua në përputhje me detyrimet e vendit që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e drejta ndërkombëtare humanitare, si dhe standardet dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Pas sigurimit të provave nga Ministria e Brendshme – Byroja e Sigurisë Publike, dhe në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, kundër katër luftëtarëve të huaj terroristë janë ngritur akuza të përshtatshme penale në përputhje me ligjin kombëtar. Për shkak të mosdisponueshmërisë së tyre për autoritetet e zbatimit të ligjit, për ta kishte urdhër arresti ndërkombëtar, dhe në mungesë të tyre, u vendos masë paraburgimi, me një vendim të një gjykate kompetente”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se gratë dhe fëmijët e riatdhesuar do t’i nënshtrohen një karantine shëndetësore katërmbëdhjetëditore mbi bazë vullnetare dhe ekzaminimeve të nevojshme mjekësore, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik.
Sipas njoftimit, në periudhën e ardhshme, shërbimet kompetente do të punojnë në sigurimin e provave të pjesëmarrjes së mundshme në veprime inkriminuese, për secilin rast individualisht.
Siç thuhet në deklaratë, me përjashtimin e mundësisë së përfshirjes së tyre në veprime që i nënshtrohen përgjegjësisë penale, duke respektuar plotësisht parimin e vullnetarizmit do të fillojë procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.
Më tej theksohet se të gjitha masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga institucionet bazohen në detyrimet e planit kombëtar dhe procedurat për riintegrimin, socializimin dhe rehabilitimin e të kthyerve nga ushtritë e huaja dhe anëtarëve të familjeve të tyre, të miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për koordinimin dhe zbatimin e të cilit është përgjegjëse Zyra e Koordinatorit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën Kundër Terrorizmit.
“Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s dhe Koalicionit Global kundër DEASH-it, në bashkëpunim me partnerin tonë strategjik SHBA-në, mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve më të larta në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, në mënyrë që të garantohet siguria, stabiliteti dhe “prosperiteti në nivelin më të lartë për qytetarët e vendit tonë dhe rajonit më gjerë”, tha qeveria.


