Maqedonia e Veriut dhe OKB nënshkruan Kornizën e re të Bashkëpunimit

Nënshkrimi i kornizës përkon simbolikisht edhe 75 vjetorin e themelimit të OKB-së, ndërsa nënshkrues ishin kryediplomati i vendit, Bujar Osmani, si dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rossana Dudziak

Maqedonia e Veriut dhe Kombet e Bashkuara (OKB) kanë nënshkruar Kornizën e re të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF) për periudhën 2021-2025, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nënshkrimi i kornizës përkon simbolikisht edhe 75 vjetorin e themelimit të OKB-së, ndërsa nënshkrues ishin kryediplomati i vendit, Bujar Osmani, si dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rossana Dudziak.

Në konferencën e përbashkët për media pas nënshkrimit, ministri Osmani theksoi se një prej prioriteteve themelore të Ministrisë së Punëve të Jashtme është mbështetja e multilateralizmit, të cilën e vlerësoi si një arritje civilizuese në sigurimin e paqes dhe progresit të përgjithshëm në botë.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për të shënuar këtë jubilej të themelimit të Kombeve të Bashkuara se sa me nënshkrimin e kornizës për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm me Kombet e Bashkuara, dokument strategjik i cili do të jetë udhëzues i punës së sistemit të Kombeve të Bashkuara në vendin tonë në periudhën prej vitit 2021 deri në vitin 2025”, tha Osmani.

Koordinatorja e OKB-së, Rossana Dudziak, shprehi kënaqësinë e nënshkrimit të kornizës në 75-vjetorin e themelimit të OKB-së , duke shtuar se bëhet fjalë për dokument të nënshkruar mes sistemit zhvillimor të OKB-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korniza e Bashkëpunimit është një dokument kyç dhe strategjik që do të udhëheqë punën e agjencive të OKB-së në vend gjatë 5 viteve të ardhshme. Ajo u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, me shoqërinë civile dhe me komunitetet në mbarë vendin”, theksoi Dudziak.

Ajo gjithashtu tha se OKB në vitet e ardhshme do të angazhohet në mbështetje të qeverisë dhe popullit në arritjen e prioriteteve strategjike, siç janë përmirësimi i standardit jetësor, apo sigurimi i qasjes në arsim dhe shëndetësi.

Osmani i inkurajoi historianët të zbusin vlerësimet historike me Bullgarinë

Gjatë konferencës për media, ministri Bujar Osmani iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me bisedimet që Maqedonia e Veriut i zhvillon me Bullgarinë.

Osmani u shpreh optimist se keqkuptimet me Bullgarinë do të tejkalohen dhe se vendi do të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Duke u përgjigjur në pyetjen rreth kërkesës që Bullgaria të mos emërohet “okupator” por “administrator” gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Osmani inkurajoi komisionin e historianëve nga të dyja vendet që nëse gjejnë mënyra, të zbusin vlerësimet historike.

“Nëse komisioni i historianëve dhe shkencëtarëve gjejnë mënyra për t’i zbutur këto vlerësime historike ndërmjet fqinjëve të afërt të cilët shohin një të ardhme të përbashkët, unë i inkurajoj ta bëjnë këtë”, tha Osmani.

Ai gjithashtu u shpreh se nuk është i mendimit që duhet politika ta bëjë këtë zgjidhje, pasi siç vlerësoi ai, kjo në të ardhmen mund të kontestohet si vendim politik.

Kujtojmë se më 1 gusht 2017, qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nënshkruan Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim.

Sipas kësaj marrëveshjeje, është krijuar komisioni dypalësh multidisiplinar për çështje historike dhe arsimore midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i cili duhet të arrijë pajtueshmëri mbi faktet dhe dokumentet historiografike në lidhje me ngjarjet dhe personalitetet e përbashkëta historike.

Më 16 shtator, në prag të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, Bullgaria u dërgoi vendeve anëtare të BE-së një memorandum, ku kërkon mbështetjen e tyre për qëndrimin e saj ndaj identitetit dhe gjuhës maqedonase.

Memorandumi thotë se vendet kandidate nuk duhet të hyjnë në BE me mosmarrëveshje të hapura dhe konsideron se mosmarrëveshjet me Shkupin zyrtar janë një konflikt i pazgjidhur që “mund të ndikojë negativisht në vendimmarrjen e BE-së gjatë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut”.