Maqedonia e Veriut nënshkroi marrëveshje për ndihmë shtetërore me kompaninë turke “PÜRPLAST”

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Drejtoria e zonave zhvillimore teknologjike industriale nënshkruan marrëveshje për ndihmë shtetërore me investitorin turk “PÜRPLAST A.Ş”

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Drejtoria e zonave zhvillimore teknologjike industriale nënshkruan marrëveshje për ndihmë shtetërore me investitorin turk “PÜRPLAST A.Ş”, e cila investon në vend, ndërsa sipas marrëveshjes kompania fiton ndihmë shtetërore në shumë prej 2.5 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas nënshkrimit të marrëveshjes u adresuan zëvendës kryeministri përgjegjës për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi, drejtori i Drejtorisë për zonat zhvillimore teknologjike industriale, Jovan Despotovski dhe drejtori ekzekutiv i PÜRPLAST A.Ş, Mehmet Şişmanoğlu.

Drejtori i Drejtorisë për zonat zhvillimore teknologjike-industriale, Jovan Despotovski, duke theksuar se ky është investimi i dytë në vitin 2021, u përqendrua në të dhënat teknike të investimit.

Despotovski në konferencën për media informoi për detajet e marrëveshjes për ndihmën shtetërore për investitorin PÜRPLAST-Maqedoni”.

“Krahas truallit me çmim të subvencionuar, në mënyrë shtesë, vetë kompania sipas marrëveshjes që e nënshkruam, fiton shumë të përgjithshme të ndihmës shtetërore prej 2.5 milionë euro, prej të cilave 500 mijë euro të gatshme, gjegjësisht pagesë të mjeteve financiare ndërsa rreth 2 milionë janë lirime tatimore dhe doganore”, tha Despotovski.

“Interesi ynë si shtet është që kompania t’i shfrytëzojë këto mjete dhe t’i paguajë detyrimet ndaj shtetit në pjesën e tatimit personal dhe tatimit të fitimit. Dikur për më pak se 10 vite pasi kompania të dalë nga skema e ndihmës shtetërore, mund që shteti të pret kthimin e investimit të bërë”, shtoi ai.

Siç theksoi Despotovski, sfera kryesore afariste e kompanisë është në industrinë automobilistike, kompania prodhimet e saj i eksporton në 36 vende dhe në vitin 2019 ka pasur qarkullim prej 30.6 milionë euro.

Duke theksuar se sot është nënshkruar marrëveshje për fazën e parë të investimit që peshon mbi 5 milionë euro, Despotovski tha se sipas planit afarist që kompania e dorëzoi në Drejtorinë, investimi i përgjithshëm, në pajtim me vitin 2026, pritet të arrijë mbi 12 milionë euro.

Zëvendës-kryeministri përgjegjës për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi, duke i dëshiruar mirëseardhje kompanisë turke në Maqedoninë e Veriut, tha se shpreson që së bashku do të kontribuojnë për rritje më të shpejtë ekonomike dhe zhvillim të Maqedonisë së Veriut.

Duke iu drejtuar drejtorit ekzekutiv të “PÜRPLAST”, Mehmet Şişmanoğlu, Bytyqi tha: “Besoj se bëtë vendimin e duhur, COVID-krizën ta njihni si mundësi dhe në periudhën pas-COVID-it të hyni me investime të reja në linja të reja prodhuese”

Ai shtoi se një vlerë shtesë është se fabrika në Shkup gjithashtu planifikon shërbime për kërkimin dhe zhvillimin e ndërmarrjes.

Siç tha Bytyqi, në fillim është planifikuar të punësohen 40 persona dhe sipas planeve zhvillimore, parashikohen gjithsej 215 vende pune në “PÜRPLAST-Maqedoni”.

Drejtori ekzekutiv i “PÜRPLAST”, Mehmet Şişmanoğlu tha se ka përgjegjësi personale që ta kryejë këtë projekt. Ai theksoi se me përgatitjen e truallit filluan më 1 korrik të vitit 2020 dhe se për periudhën prej 7.5 muajsh përfunduan me 75 për qind të ndërtimit të fabrikës.

Şişmanoğlu, duke theksuar se në përgjithsi në vitin 2020 tregu i automjeteve komerciale është zvogëluar me 18.9 për qind, tha se hapja do të jetë më së voni deri në verë, edhe përkundër krizës së shkaktuar nga COVID-19.

“Me integrim të plotë në normalitetin e ri pas-pandemisë, kompanitë si ‘PÜRPLAST-Maqedoni’, të cilat vazhdojnë të përparojnë, do të rimëkëmben shpejtë dhe do të marrin më shumë pjesë në tregun me linjën e re prodhuese dhe kapacitetin e lirë”, theksoi Mehmet Şişmanoğlu, i cili falënderoi Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ambasadën e Turqisë në vend dhe Drejtorinë e zonave zhvillimore teknologjike industriale.