Maqedonia e Veriut regjistron 27 viktima nga COVID-19

Maqedonia e Veriut të enjten ka regjistruar 27 viktima të reja nga COVID-19, si dhe 1,861 të infektuar bazuar në testimin e 5,446 mostrave.

Më së shumti të vdekur, 10 janë regjistruar në Shkup. Numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur betejën me COVID-19 ka arritur në 8,312 persona.

Institutit i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar edhe për 7,273 persona të shëruar, që paraqet shifër rekord të të shëruarve, por sipas të dhënave të këtij instituti, shumë nga këta persona nuk janë evidentuar në raportet e ditëve të fundit.

Numri i rasteve aktive me të dhënat e reja është ulur në 16,442 persona.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë e ndryshimit të protokollit sa i përket të vdekurve, që jo të gjithë personat që vdesin të testohen edhe për COVID-19.

Sipas protokolleve në fuqi, një person evidentohet se ka ndërruar jetë nga COVID-19 edhe nëse koronavirusi nuk ka qenë shkaktar i humbjes së jetës së tij.

“Nëse një person ka pasur një sulm kardiak me pasojë vdekjen, ndërsa ka rezultuar edhe pozitiv me COVID-19, ne e evidentojnë si viktimë e koronavirusit. Duhet të analizohet kjo çështje, por fatkeqësisht ne përballemi me jotransparencë, mbyllje të institucioneve dhe kështu është duke vazhduar”, ka deklaruar Nikolla Panovski, mikrobiolog.

Një protokoll i tillë ka bërë që Maqedonia e Veriut të jetë në krye të shteteve të rajonit, por edhe më gjerë sa i përket viktimave me COVID-19.

Ndërkohë, Qeveria ka miratuar propozimin e Shtabit të Krizës që periudha e izolimit nga varianti Omicron të shkurtohet për tre ditë.

Sipas vendimit, personat e sëmurë me koronavirus nga 10 ditë izolim do të mbahen në 7 ditë ngaqë virulenca e variantit Omicron tashmë nuk përbën rrezik për jetë, sipas Komisionit për Sëmundje Infektive.

Është miratuar edhe propozimi i Komisionit që mësimin në arsimin fillor dhe të mesëm, më 1 shkurt të nis me prani fizike, njëjtë sikur edhe në gjysmëvjetorin e parë.

Qeveria maqedonase, gjithashtu, ka vazhduar me thirrjet për vaksinimin e popullatës, pasi interesimi vazhdon të mbetet në nivel të ulët.

Deri të enjten me nga dy doza janë vaksinuar rreth 865.000 persona, shifër me të cilën nuk është arritur ende vaksinimi i gjysmës së popullatës prej dy milionësh.