Maqedonia kërkon ekstradimin e pakushtëzuar të Gruevskit nga Hungaria

Sot më herët, Gruevski konfirmoi se Hungaria është përgjigj pozitivisht në kërkesën e tij për azil, të parashtruar në këtë vend

 Qeveria e Maqedonisë ka reaguar pas pretendimeve se ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, i është pranuar kërkesa për azil në Hungari, duke kërkuar kthimin e tij në Maqedoni në mënyrë të pakushtëzuar për të vuajtur dënimin e tij me burg dhe për t’u përgjigjur në aktet e tjera gjyqësore për të cilat akuzohet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përveç notës së protestës së dorëzuar përmes ambasadave për kthimin e Gruevskit, Qeveria e Maqedonisë përmes një njoftimi tha ka dërguar edhe zyrtarisht kërkesë për ekstradim pasuar me dokumentacionin e përgjithshëm të proceseve dhe gjykimit.

“Qeveria pret që autoritetet në Budapest në mënyrë të pakushtëzuar të pranojnë kërkesën për ekstradim dhe në përputhje me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, do të mundësojnë kthimin e Gruevskit në Maqedoni, në mënyrë që të vuajë dënimin e tij me burg dhe të përgjigjet për aktet e tjera për të cilat ai akuzohet”, thekson qeveria maqedonase.

Qeveria tha se Gruevski është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një proces publik dhe transparent, ndërsa kundër tij kryhen edhe disa hetime dhe çështje të tjera gjyqësore.

“Kundër Nikolla Gruevskit asnjëherë nuk është kryer përndjekje politike dhe nuk është evidentuar asnjë kërcënim për jetën e tij, as edhe ndonjë institucion qeveritar nuk ka kryer kërcënime ndaj jetës së tij. Për këtë arsye, ne konkludojmë se qëllimi i vetëm i Gruevskit është ikja nga drejtësia”, thotë Qeveria e Maqedonisë.

Sot më herët, në profilin e tij në Facebook, Gruevski konfirmoi se Hungaria është përgjigjur pozitivisht në kërkesën e tij për azil, të parashtruar në këtë vend.

Gruevski tha se në kërkesën e tij për azil ka shkruar se po përballet me një përndjekje politike nga qeveria e re e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), ndërsa ka theksuar se qeveria e re dëshiron ta privojë atë nga liria “duke përdorur mjete jodemokratike dhe duke keqpërdorur sistemin e prokurorisë dhe atë gjyqësor në Maqedoni”. Ai shprehet se nuk ka ikur nga drejtësia, por përmes metodave juridike ndërkombëtare vazhdon të kërkojë drejtësinë për veten dhe për të gjithë, siç thotë, viktimat e tjera të përndjekjes politike në Maqedoni.

Dje, më 19 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë thirri në takim ambasadorin hungarez në Shkup, Laszlo Istvan Dux, të cilit i kishte dorëzuar një notë proteste, duke kërkuar nga qeveria hungareze kthimin e Gruevskit në Maqedoni.

Kujtojmë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Gruevski, i cili u dënua me dy vjet burg e që duhej të vuante dënimin, në profilin e tij në Facebook më 13 nëntor shkroi se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht se Gruevski ka dalë nga pika e kalimit kufitar e Hanit të Hotit në Qarkun e Shkodrës më 11 nëntor, duke përdorur një automjet në pronësi të ambasadës hungareze në Tiranë. Më vonë, edhe policia e Malit të Zi konfirmoi se Gruevski ka kaluar nëpër territorin e saj drejt Serbisë, me ndihmën e dy diplomatëve hungarezë në vend, ndërsa Serbia duke konfirmuar kalimin e tij nëpër territorin serb, tha se nuk kanë “mundur të arrestojnë një person që nuk është në kërkim”.

Në kohën kur u arratis, Maqedonia nuk kishte lëshuar fletarrestim ndaj Gruevskit. Në nivel kombëtar fletarrestimi u lëshua të hënën e kaluar, më 12 nëntor, ndërsa në nivel ndërkombëtar u lëshua një ditë më vonë, pas njoftimit të tij në Facebook se ndodhet në Budapest.

Ish-kryeministri maqedonas është dënuar me dy vjet heqje lirie për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz “Mercedes” në vlerë prej 570 mijë euro, ndërsa gjykohet edhe në disa raste të tjera për akuza që kanë të bëjnë me korrupsion dhe shpërdorime mjetesh financiare, si dhe vepra të tjera penale.