Maqedonisë së Veriut, Bekteshi zotohet se do të mbështesë sektorin e turizmit

Bekteshi kujtoi se në pakon e katërt të masave ekonomike të miratuara si mbështetje ndaj krizës së COVID-19, u sigurua mbështetje për sektorin e turizmit dhe hotelerisë

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi tha se mbi 1.000 subjekte afariste nga sektori i turizmit dhe hotelerisë që dorëzuan dokumentacionin në përputhje me thirrjen publike do të marrin mbështetje nga Ministria e Ekonomisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Bekteshi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të sektorit të turizmit dhe hotelerisë, ku diskutuan krizën me të cilën përballet sektori për shkak të pandemisë COVID-19.

Para takimit, deklaratë për media dhanë ministri Bekteshi dhe Daniella Mihajllovska-Vasillevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Bekteshi kujtoi se në pakon e katërt të masave ekonomike të miratuara si mbështetje ndaj krizës së COVID-19, u sigurua mbështetje për sektorin e turizmit dhe hotelerisë, për të cilin tha se është një sektor shumë i rëndësishëm në vend.

“Ministria e Ekonomisë dëshiron të informojë të gjithë ata që aplikojnë dhe të gjithë ata që kanë dorëzuar dokumentacionin në përputhje me thirrjen publike, të gjithë do të marrin mbështetje nga ministria”, tha Bekteshi.

Duke theksuar se Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, Bekteshi tha se në takim do të diskutohen edhe masat që do të duhet të zbatohen vitin e ardhshëm, si dhe rreth pritjeve të këtij sektori.

Daniella Mihajllovska-Vasillevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë tha se në takimin e sotëm do të diskutohet për gjetjen e zgjidhjeve në sektorin e turizmit dhe hotelerisë i cili ka një rënie prej 80 për qind këtë vit dhe është një nga sektorët më të prekur nga kriza e COVID-19.

“Sigurisht, takimi i sotëm do të japë udhëzime për atë se çfarë i nevojitet sektorit të paktën në tre muajt e parë të vitit 2021”, tha ajo.

Përfaqësuesja e Odës Ekonomike të Maqedonisë gjithashtu theksoi se në periudhën e ardhshme institucionet qeveritare dhe sektori i biznesit duhet të punojnë së bashku për të promovuar vendin si një destinacion tërheqës turistik që ka një rëndësi të veçantë për këtë sektor.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri Bekteshi tha se nëse duan të rrisin turizmin në vend dhe të tërheqin sa më shumë turistë të huaj, sektori i turizmit dhe hotelerisë duhet të punojë edhe të dielave.