Marrin vaksinën e AstraZeneca-s/ Kryeministri britanik e ai francez bëjnë injeksionin

Dy kryeministra europianë, Boris Johnson i Britanisë dhe Jean Castex i Francës – imunizohen sot me AstraZeneca-n, një ditë pasi Enti Rregullator i Mjekësisë në Europë e deklaroi vaksinën të sigurt.

Kryeministri Johnson tha se, “është shumë e rëndësishme që të gjithë ta bëjmë vaksinën sapo të na vijë radha“. Agjencia Europiane e Barnave miratoi vazhdimin e përdorimit të vaksinës AstraZeneca në betejën për të mbajtur nën kontroll pandeminë.

Vula e aprovuar nga Enti Rregullator, erdhi pasi disa vende europiane, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën, e ndaluan përdorimin e vaksinës pas raporteve se ajo mund të kishte shkaktuar mpiksje gjaku tek një numër personash.

Agjencia tha në një deklaratë se “përfitimet nga vaksina në luftën kundër Covid 19 (që vetë rezulton në probleme të mpiksjes dhe mund të jetë fatale) e tejkalojnë rrezikun e efekteve anësore“. Agjencia shtoi se, “nuk është provuar ndonjë lidhje mes vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, por se kjo është e mundur dhe meriton një analizë të mëtejshme“.

Kryeministri francez, Castex tha se ai vetë po e merr vaksinën e AstraZeneca-s në përpjekje për të rikthyer besimin e publikut tek ajo. 55-vjeçari insistoi se vaksina është efikase dhe plotësisht e sigurt. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të dërgonte miliona doza të AstraZeneca në Meksikë dhe Kanada.Vaksina nuk është miratuar ende në SHBA, por ka marrë drite jeshile për përdorim në Meksikë dhe Kanada.