Mbetemi të fundit në Europë për konsum, konsumojmë sa 40% i një europiani mesatar

Malazezët duket të jenë ata që jetojnë më mirë në rajon, me konsumin individual sa 60% e një europiani mesatar, madje edhe më shumë se një bullgar.

Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, konsumi aktual individual në Shqipëri fiksohet në 39% të mesatares së Bashkimit Europian. Kjo normë është në rritje mjaft të lehtë krahasuar me dy vitet paraardhëse, kur fiksohej në 38%. Pra, një shqiptar mesatar konsumon sa 39% e një europiani mesatar dhe padiskutim që për nga konsumi për frymë jemi të fundit në kontinentin e vjetër, më keq edhe se të gjitha vendet e rajonit.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është përfshirë në këtë publikim. Të dhënat janë alarmante dhe tregojnë se konsumi aktual për frymë në vendin tonë është plot 2.56 herë më i vogël se ai i një europiani mesatar, një italiani për shembull.

Konsumi Aktual Individual është ndoshta indikatori më i saktë i mirëqënies, pasi shprehet në standardin e fuqisë blerëse, pra i standardizuar sipas nivelit të secilit vend. Krahasuar me vende si Norvegjia, një shqiptar konsumon 3.3 herë më pak, mesatarisht.

Luksemburgu është vendi me konsumin më të lartë individual, 36% mbi mesataren europiane, ndërkohë që ndiqet nga Norvegjia dhe Zvicra. Në vend të fundit ndërkohë qëndron Shqipëria e ndjekur nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia e Veriut.

Malazezët duket të jenë ata që jetojnë më mirë në rajon, me konsumin individual sa 60% e një europiani mesatar, madje edhe më shumë se një bullgar. Pra, në terma më të thjeshtuar, në rast se një europian mesatar, një Italian për shembull, mund të blejë 10 pako makarona me të ardhurat e tij mujore, një shqiptar mesatar, mund të blejë vetëm 4 pako, dhe një malazez, thuajse 6.