Marrëdhëniet midis Bashkisë dhe Inspektoriatit Mjedisor duhet të kenë një bashkërendim më të mirë, në funksion të përmbushjes sa më të mirë të objektivit të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit. Kështu u shpreh Ornela Çuçi, zv. ministre e Turizmit dhe Mjedisit e cila thekson se qëllimi është të merret në mbrojtje mjedisi, për një Shqipëri të pastër dhe pa plehra në të gjithë territorin.
“Kjo është detyrë e bashkive të vendit dhe për këtë ato janë të detyruara të kryejnë shërbimet ndaj mjedisit dhe qytetarëve, po kështë dhe të mbajnë përgjegjësi për mos zbatimin e këtij detyrimi. Një detyrim të tillë e kanë edhe firmat e kontraktuara që me mospërmbushjen e detyrimeve penalizohen”, vë në dukje zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Më tej, Çuçi sjell dhe shembuj ku bashki të veçanta që nuk kanë përmbushur detyrimet ndaj një mjedisi të pastër, janë penalizuar. Më tej zv. ministrja sqaron se “gjobat nuk dalin nga taksat e qytetarëve, por nga xhepi i drejtuesve të bashkive. ”Nuk penalizohen bashkitë por drejtuesit e tyre “ sqaron Çuçi.
Më tej, ajo përmendi disa nga nismat ligjore që do të merren në drejtim të mbrojtjes dhe menaxhimit mjedisor. “Bashkitë kanë për detyrë të mbajnë një mjedis të pastër brenda territorit të tyre dhe t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve për heqjen, grumbullimin dhe eleminimin e mbetjeve urbane në qendrat e banuara që ato mbulojnë”, tha ajo. /ATSH
https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2235894509972858/



