Mehmet Görmez merr pjesë në një konferencë online me studentë nga Maqedonia e Veriut

Görmez foli mbi temën "Bota rinore, Islami dhe muaji i Ramazanit", si dhe fjalën e tij e filloi duke uruar me rastin e muajit Ramazan

Ish-kreu i Komunitetit Fetar të Turqisë (Diyanet), Mehmet Görmez, i cili është kryetar i Institutit të Mendimit Islam (IDE), ka marrë pjesë në një konferencë online me studentë nga Maqedonia e Veriut në kuadër të projektit “Shkolla Rinore 2020 – Köprü” (KGO), raporton Anadolu Agency (AA).

KGO organizohet nga Shoqata për Kulturë, Art dhe Arsim “Köprü” me seli në Shkup, në kuadër të projektit “Shkolla Rinore Ballkanike”, që mbështetet nga Drejtoria e Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB).

Përveç Görmez-it, në konferencën online që u transmetua drejtpërdrejtë në mediat sociale morën pjesë edhe përfaqësues të shumtë të institucioneve dhe organizatave turke në vend, nxënës, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Görmez foli mbi temën “Bota rinore, Islami dhe muaji i Ramazanit”, si dhe fjalën e tij e filloi duke uruar me rastin e muajit Ramazan.

“Uroj që Zoti t’i mëshirojë të gjithë paraardhësit tanë që mund të konsiderohen arkitektë shpirtëror të Shkupit, siç janë Yiğit Pasha, Ata Effendi, Fetah Effendi dhe hafëz Idriz”, tha Görmez.

Görmez theksoi se qytetet kanë një shpirt dhe se qyteti i Shkupit është një qytet me shpirt.

“Qytetet kanë një shpirt dhe Shkupi është një qytet me një shpirt. Pavarësisht sesa ndryshon struktura demografike e Shkupit, në përgjithësi Shkupi është një qytet musliman. Me ndërtesat e saj, gurët dhe rrugët Shkupi është qytet me një shpirt”, tha Görmez.

Sipas tij, bota e të rinjve është ndryshe nga bota e të moshuarve, por, tha ai, të moshuarit duhet ta kuptojnë atë ndryshim në mënyrë të drejt dhe të japin përgjigje të sakta për pyetjet e të rinjve.

Në fjalën e tij, Görmez po ashtu përmendi rëndësinë e koncepteve si “jeta” dhe “jetëgjatësia”, “egoja”, “personaliteti” dhe “identiteti”, si dhe tha se “identiteti është civilizëm, identiteti është ummet”.

Görmez theksoi se në të kaluarën, të rinjtë kishin tre shkolla, përkatësisht familjen, xhaminë dhe shkollën.

“Shkolla e katërt doli para këtyre shkollave. Ky instrument (telefon) doli para këtyre tre shkollave. Prandaj, në botën e dixhitalizimit po formohet një botë virtuale. Tani po flasim në këtë botë virtuale. Sigurisht se ne do t’i themi ‘jo’ kësaj bote dixhitale, por ta përdorim atë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Görmez.

Kreu i shoqatës “Köprü”, Husrev Emin, falënderoi Görmez-in për pranimin e ftesës për të qenë mysafir në këtë program.