Mendje të hapur për një “Ballkan të Hapur”

Një ndër çështjet më të debatuara në të gjithë hapësirën ballkanike dhe veçanërisht në atë shqiptare, është edhe i ashtuquajtuari “Minishengeni Ballkanik” tashmë i emërtuar “Ballkani i Hapur”. Debati, i cili përshkon këtë temë tejet delikate, shpesh përshkohet nga dy fenomene, nga militantizmi partiak sipas bunkerit përkatës të partisë, dhe nga mosdija e cila kërkon të fshihet nën petkun e artikulimit nacionalist. Për një gjë duhet të jemi të qartë, atdhedashuria nuk është atribut i vetëm njërit grup dhe të tjerët janë tradhëtarët, për të mos thënë që shpesh disa tradhëtarë nën artikulimin nacionalist kërkojnë të bëjnë krejt të kundërtën me interesat e kombit.

E gjithë iniciativa ballkanike filloi të merrte formë nga ideja drejt hapave konkrete, në Samitin e Berlinit në 2014 dhe më vonë në Samitin e Triestes në 2017. Bashkimi Evropian në fillim ishte mbështetësi kryesor i kësaj iniciative. Ata u nisën me postulatin që në proçesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, cili është konsideruar gjithmonë si burim konflikti dhe përçarjeje, në vend që të rrezikojmë të ballkanizojmë BE-në, më mirë të europianizojmë me parë Ballkanin dhe më pas ta integrojmë. Duke aplikuar katër liritë me të cilat sot funksionon BE, atë të njerëzve të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit, ata e panë të arsyeshme që një bashkëpunim rajonal dhe një fqinjësi e mirë në Ballkanin Perëndimor, arrihet vetëm nëse këto shtete do shkojnë drejt stabilitetit politik, sigurisë dhe rritjes ekonomike. Prandaj, projekti i “minishengenit balkanik” jo vetëm që do të arrinte këtë, por, do të ndërronte tërë narrativën për rajonin duke lehtësuar tensionet etnike në një treg prej 18 milionë banorësh.

Por, në 2019 kur Franca, në fjalët e presidentit Macron, refuzoi anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht foli për një rikonceptim të BE-së dhe kritereve të integrimit të shteteve te reja në të. Kjo “Jo” franceze, errësoi perspektivën e gjashtë vendeve të rajonit për t’u integruar në BE. Pas kësaj tërheqjeje nga ana e BE-së, flamurin dhe mbështetjen më të madhe për këtë inciativë e mori SH.B.A e cila u investua shumë në rajon duke instaluar dy të dërguar të posaçëm. Aq sa edhe firmosja e angazhimit në “minishengen” nga Vuçiç dhe Hoti, në prezencë të Trump, vulosi patronazhin amerikan mbi këtë projekt.

Ajo që duhet të jetë e qartë, përtej abuzimeve politike mbi atë se si Vuçiç, Rama dhe Zaev në kokë të tyre ranë dakort dhe vendosën të bëjnë “minishengenin ballkanik” është sa qesharake aq edhe naive, sepse dihet krejt mirë se asnjë nga këta liderë nuk do të merrte kurrë guximin të bënte një gjë të tillë, deri sa një superfuqi të mund t’i detyronte ta bënin atë. Ky është një projekt madhor strategjik i cili u konceptua si agregat i integrimit, por nëse integrimi dështon konceptohet si një plan B evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqetësimet kryesore të cilat janë ngritur nga media të ndryshme si dhe politikanë e analistë, është se ky projekt i quajtur tashmë “Ballkani i Hapur”, është projektuar për të fuqizuar edhe më shumë Serbinë në kurriz të shqiptarëve. Bile z. Kurti pati thënë që kjo iniciativë do hapë rajonin më shumë për influencën ruse dhe kineze. Së pari, nëse. E pranojmë që ky është një projekt sot i mbështetur dhe i sponsorizuar fuqishëm nga SH.B.A nuk mund të jetë i tillë që të shtojë influencnë ruse dhe kineze. Përkundrazi, duke krijuar një zonë homogjene, kompakte ekomomike dhe politike nën patronazhin e amerikanëve, atëhere e gjitha kthehet në një pengesë të madhe për ndërhyrjet ruso-kineze në rajon. Gjithashtu bën çdo përpjekje serbe për t’u lidhur me rusinë, më të kontrollueshme dhe më të menaxhueshme nga amerikanët. Së dyti, nëse pranojmë se SH.B.A ka qene mbojtësi më i madh i Kosovës, atëhere i bie që kjo inciativë të jetë konceptuar për të mbrojtur më shumë interesat shqiptare në rajon.

Po si? Mund të thotë dikush. Serbia është më e fuqishme ekonomikisht dhe politkisht se të gjitha vendet në rajon, për pasojë do u imponohet vendeve të tjera në terma ekonomikë. Atëhere, kush do të përfitojnë më shumë nga kjo iniciativë? Këto janë shqetësime të cilat janë krejt të natyrshme, që nëse nuk ngjyrosen nga injoranca dhe militantizmi partiak, do të arrijnë të gjejnë përgjigjen e duhur. Vendet të cila përfitojnë më shumë në inciativën WB6 janë vendet të cilat kanë popullsi më të madhe etnike. Me pak fjalë, serbët dhe shqiptarët. Serbia etnikisht është e shpërndarë në Republikën Serbska, në Mal të Zi, në disa enklava në Kosovë, ndërkohë që shqiptarët janë të shpërndarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi si dhe në disa enklava në Serbi si Presheva e Bujanovci.

Politika e re e Ballkanit të Hapur, ajo e “no border” do të çojë automatikisht në një interaktivitet të shtuar shumëdimensional të shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe serbëve po ashtu me njeri-tjetrin, duke krijuar masa të mëdha kompakte etnikisht, të cilat për shkak të qarkulllimit të lirë të çdo gjëje, do të arrijnë të homogjenizohen akoma më shumë. Kjo sepse grupet etnike me të njëjtin identitet, kanë prirje më shumë të bashkëpunojnë dhe të kenë shkëmbime më shumë me njëri-tjetin se sa me grupe të tjera etnike, Ja përse serbët dhe shqiptarët do të përfitojnë sepse pas një ose dy dekadash do kemi dy grupet të mëdha etnike të cilat do jenë aq të homogjenizuara brënda llojit, sa nuk është çudi që të kërkohet pastaj edhe një rivendsoje e kufinjve në Ballkan tashmë mbi baza etnike sepse realiteti në terren do ta imponojë këtë. Bile, shqiptarët do të jenë më të përfituar, sepse ata aktualisht të ndarë në katër shtete kanë nivele minimale bashkepunimi, ndërlidhjeje dhe homogjeniteti, ndryshe nga serbët të cilët janë shumë të lidhur me ata të Republikës Serbska, ata të Malit të Zi si dhe të veriut të Kosovës.

Teza më e rëndësishem që del nga e gjithë kjo histori është se përveç kompaktësimit të faktorit shqiptar në të gjithë rajonin, e cila mund të çojë siç e thamë edhe drejt një rikonceptimi të kufinjve në Ballkan, është se një masë e madhe shqiptarësh në të gjithë Ballkanin të lidhur fort ekonomkisht, politikisht dhe kulturalisht, do kthehen në kundërbalancues të dominancës serbe, dhe do shërbejë si një ekuilibrues perfekt që rajoni të mos dominohet nga prepotenca serbe si në ekonomi, politikë por edhe në trashëgiminë kulturore.