Merkel kërkon bashkëpunim të përshpejtuar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

"Ne akoma kemi një sërë vështirësish për të kapërcyer. Na duhet shumë durim dhe angazhim", tha Merkel, duke përmendur mosmarrëveshjet politike rajonale të vazhdueshme, si ajo midis Serbisë dhe Kosovës dhe ajo midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të zgjerojnë bashkëpunimin rajonal në një përpjekje për të krijuar një bazë për besimin e ndërsjellë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Berlin pas samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, Merkel theksoi nevojën “për ta bërë të mundur pajtimin dhe bashkëpunimin”.

“Ne akoma kemi një sërë vështirësish për të kapërcyer. Na duhet shumë durim dhe angazhim”, tha Merkel, duke përmendur mosmarrëveshjet politike rajonale të vazhdueshme, si ajo midis Serbisë dhe Kosovës dhe ajo midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Merkel po ashtu pranoi se bisedimet mbi perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian (BE) përmbajnë “diskutime të vështira”.

Kancelarja gjermane tha se për shumë vende të Ballkanit Perëndimor, shpejtësia e këtij procesi të pranimit në BE është “shumë e ngadaltë”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, duan të bashkohen me BE-në.

Thuhet se Berlini muajt e fundit ka udhëhequr përpjekjet diplomatike për të vendosur çështjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor në krye të axhendës së BE-së.

Sfidat kryesore për Ballkanin Perëndimor akoma mbeten. Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdon të shqetësojë shumicën e vendeve të këtij rajoni të paqëndrueshëm.

Sikur këto probleme nuk mjaftonin, pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) po ashtu ndikoi rëndë në ekonomitë dhe shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.