Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Turqia është vendi i dytë më i populluar në kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) me rëndësi strategjike e jo vetëm një partnere dhe aleate e NATO-s.
Merkel i tha Parlamentit Federal se Samiti i Udhëheqësve të BE-së do të përqendrohet në marrëdhëniet midis BE-së dhe Turqisë dhe situatën në Mesdheun Lindor.
“Ne e dimë që zhvillimi dhe prosperiteti i BE-së është i mundur vetëm me marrëdhënie të mira me fqinjët tanë jashtë Unionit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Turqinë anëtare të NATO-s, e cila ka marrëdhënie shumëdimensionale”, deklaroi Angela Merkel.
Ajo tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borell ka përgatitur një raport mbi këto marrëdhënie.
Duke vlerësuar zhvillimet në Mesdheun Lindor, Kancelarja gjermane Merkel tha: “Së pari, është një lajm i mirë që Turqia ka sinjalizuar një çtensionim në rajonin e Mesdheut Lindor dhe ri-angazhohet në dialog me Greqinë pas aktiviteteve provokuese në Qipro dhe ujërat grekë në muajt e fundit. 5 plus 1 bisedime mbi të ardhmen e Qipros do të vazhdojnë nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara.”
Pasi vuri në dukje se shumë turq kanë jetuar në Gjermani për vite me radhë, Angela Merkel tha: “Ne Gjermanët kemi marrëdhënie të ngushta shumë të veçanta me Turqinë.”
Merkel gjithashtu theksoi se heshtja në marrëdhënie nuk sjell dobi, ndërsa tha: “Prandaj, ne do të diskutojmë për rinisjen e dialogut të nivelit të lartë midis Turqisë dhe BE-së. Ne kemi interesa të përbashkëta. Kjo përfshin sfidat e imigracionit. Ne mund ta zgjidhim këtë me Turqinë.”



