Mes antipolitikës së maxhorancës dhe neo-populizmit të opozitës

Nga Redi Shehu

E keni vënë re? E gjithë politikbërja në Shqipëri ka kaluar në një fazë të pakomentueshme dhe të paanalizueshme, sepse thjesht ajo gjëndet në kolaps. E gjitha çka ngelet për t’u analizuar është absurdi me të cilin ajo ka kohë me të cilin ushqehet. Një absurd i cili nxitet nga maxhoranca dhe ndiqet nga opozita. Një gjendje absurdi politik pa institucione dhe pa shpresë e cila çon shpesh në analiza absurde duke u përpjekur për të shpjeguar, justifikuar e parashikuar të pashpjegueshmen. Ka kohë që politika jonë është kthyer në një teatër të përhershëm e cila më parë konkuronte teatrin, ndërsa sot ka zënë vendin e tij që para shembjes së godinës. Një teatër politik përpara një audience konfuze e mbushur me individë abstraktë politikisht të cilët mendojnë se po bëjnë gjënë e duhur por që pakuptuar i japin jetë këtij teatri.

E thënë thjesht, e gjithë kjo situatë në të cilën ndodhemi, nuk është gjë tjetër veçse një gjendje antipolitike ku si aureolë të sajën ka diskursin e vet i cili po ashtu është antipolitik në vetvete. Nëse me antipolitikë kuptojmë të gjithë sjelljen dhe mënyrat e ndjekura jashtë politikës së zakonshme, atëhere ky është rasti ynë. Vërtet që shumëkush mund të thotë se ne këmi kohë që nuk bëjmë politikë sipas normave dhe rregullave të politikës normale, por ama është aq e vërtetë, sa që me marrëveshjen e 2017-tës dhe në të gjithë periudhën që vijon më pas, antipolitika jonë filloi të përmbushej deri sa tashmë me mungesën e institucioneve kryesore të drejtësisë e cila tronditi mekanizmat politikë, si dhe me braktisjen e opozitës dhe daljen e saj jashtë institucioneve, antipolitika jonë e ka plotësuar absurdin e vet.

Gjendjen e antipolitikës e përmbush jo vetëm tradita jonë e kahershme antidemokratike e jetës së brëndëshme të partive politike tek ne, por edhe mungesa sot e institucioneve të drejtësisë që përbëjne pushtetin më domethënës dhe përcaktues në një demokraci. Justifikimi i maxhorancës për këtë është reforma në drejtësi. Po, kjo është vetëm etiketa e ngjarjes, ndërsa fryma që e përshkoi atë është se askush nga ndërkombëtarët nuk do të donte të fillonte një reformë po ta dinte se sa e papreçedent do të ishte zgjatja e agonisë së ndërrimit të drejtësisë së vjetër me të renë e shumëpritur.

E gjithë kjo periudhë tranzicioni, e cila vazhdon akoma, është kontribuesi më i madh që konturon qartë antipolitikën qeveritare tonën. Në vitin 2017 opozita e asaj kohe rendiste një sërë arsyesh të justifikueshme për të kërkuar largimin e zotit Rama të cilat e bënin të pamoralshme dhe të pamendueshme bashkeqeverisjen me të. Për PD-në qeverisja e Ramës ishte e kriminalizuar, sepse kishte lidhje të forta me krimin dhe deputetë e drejtues të posteve kyçe të saj, ishin vetë ose kishin lidhje të forta me struktura kriminale të këtij vendi. Pa përmendur mbrojtjen publike që kryeministri i bëri ish-kryebashkiakut të Kavajës. Pa përmendur kanabizimin e vendit në një masë dhe formë të pamenduar, duke inkriminuar institucionet e rendit dhe transformuar ata në një sh.a me aksione të plota në të. Të gjitha këto janë të vërteta dhe përbënin mjetet antipolitike me të cilat pushteti i Partisë Socialiste po përgatiste zgjedhjet e 2017-tës të faktuara tashmë me dosjet 339 etj. Antipolitika e maxhorancës erdhi duke u trashur deri në pikën sa e provokoi opozitën duke e çuar drejt gabimit fatal të saj, atë të braktisjes së mandateve parlamentare duke humbur kontaktet dhe influencën e saj me institucionet dhe mekanizmat të cilat përbëjnë normalitetin e këtij vendi.

I gjithë rugëtimi antipolitk i maxhorancës me bjerrjen e institucioneve të drejtësisë, kapjen e një zinxhiri të tërë të pushtetit politik dhe ekonomik, nuk duhej në asnjë mënyrë ta bënte opozitën shqiptare të ndiqte hapat e antipolitikës duke përdorur për herë të parë mjete dhe mënyra jopolitike për të ndryshuar vetë politikën. As premtimet e parealizuara mbi shëndetësinë, apo 300 mijë vendet e reja të punës, as premtimet e pambajtura për uljen e taksave dhe çmimeve të energjisë apo mallrave të tjera të konsumit, nuk do të duhej të bënte që opozita të rrokte mjete dhe mënyra antipolitike.

Gjuha që përdori opozita e bashkuar pas daljes nga institucionet, nuk kishte se si të ishte ndryshe vetëm se neo-populiste (populizmi tradicional u pa në lëvizjet e shekulllit të 19-të në Rusi dhe Amerikë), e cila i drejtohej popullit për të përmbysur elitën e korruptuar të maxhorancës. Një gjuhë e tipit “post truth politics” e cila u shfaq si pasojë e pafuqisë institucionale dhe bën që në kuptimin semantik të jetë e barazvlefshme po ashtu me antipolitikën. Pra opozita e bashkuar tashmë jo vetëm mënyrën dhe mekanizmat e ndjekura i zgjodhi t’i ketë antipolitike, por edhe diskursin e ka të tillë duke e futur tashmë të gjithë spektrin e politikës shqiptar brënda një kolapsi ku nga njëra anë kemi antipolitikën e maxhorancës me të gjithë komoditetin e vet, dhe nga ana tjetër kemi neo-populizmin opozitar i cili shfaqet si sinonim i të parit në artikulim dhe veprim. Një gjëndje absurdi pa institucione, pa mekanizma dhe pa shpresë që gjërat të ndryshojnë për mirë.

Për të shpëtuar anijen e batuar gati në mbytje të Lubonjës, me të cilën në mënyre metaforike ai krahasonte Shqipërinë e Ramës, duhet që Partia Demokratike të dalë nga antipolitika të paktën në diskurs, se në mekanizma deri para zgjedhjeve e ka të pamundur (deligjitimimi i Këshillit Politik këtë e tregoi më së miri). Këtë, duke u fokusuar në të renë që ajo sjell, jo vetëm në të vjetrën e Ramës që ajo kundërshton, sepse shoqëria e sotme e networkut tenton ta shtyjë audiencën drejt polarizimit që promovon antipolitikë. Ndërkohë që opozita duhet të përqëndrohet më shumë në “perspective taking” se sa në “side taking”, duke krijuar një identitet të sajin i cili është mbi antipolitikën, një identitet superior që u flet njerëzve mbi mënyrën dhe formën se si duhet shkuar drejt Shqipërisë së vlerave. Me pak fjalë, të bëjë që për herë të parë qytetarët e këtij vendi të votojnë për politikat e ofruara dhe jo për partitë dhe kryetarët e tyre. Ta nxjerrë Shqipërinë nga tribalizmi i antipolitikës drejt politikbërjes moderne dhe të standartizuar.