Mesazh vëllazërie ndaj botës nga Sarajeva në përvjetorin e sulmit terrorist në Zelandën e Re

Türkmenoğlu tha se është shumë i rëndësishëm për ta mesazhi i Davud Nabi-t, viktimës së parë të sulmit që e priti terroristin Brenton Tarrant në hyrje të xhamisë duke i thënë "Hello Brother"

Ne rastin e përvjetorit të dytë të sulmit terrorist të 15 marsit të vitit 2019 në qytetin Christchurch në Zelandën e Re, nga kryeqyteti Sarajevë i Bosnjë dhe Hercegovinës i është dërguar botës mesazh uniteti dhe vëllazërie, raporton Anadolu Agency (AA).

Në programin e organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Njohurisë dhe Perceptimit (BILAL) mbi Urën Latine, ku ka ndodhur atentati i Sarajevës që ka shkaktuar fillimin e Luftës së Parë Botërore, mbi urë është vendosur pankartë me mbishkrim “Hello Brother” (Përshëndetje Vëlla).

Kreu i Shoqatës Bilal, Ömer Lütfi Türkmenoğlu, tha se si shoqatë synojnë të shërbejnë në unitetin e Islamit dhe theksoi se është shumë i rëndësishëm për ta mesazhi i Davud Nabi-t, viktimës së parë të sulmit që e priti terroristin Brenton Tarrant në hyrje të xhamisë duke i thënë “Hello Brother”.

Ai tha se mesazhi i Nabi-t duhet të kuptohet nga të gjithë muslimanët dhe jomuslimanët.

“Terrori nuk ka kombësi. Terrori nuk ka fe. Vepra terroriste e një personi përkatës i ndonjë feje nuk është një faktor që e lidh atë fe. Prandaj, ne kujdesemi që të gjithë njerëzit në botë të lënë paragjykimet e tyre mënjanë dhe të perceptojnë mesazhin e Nabi-t duke sjellë në plan të parë individualitetin e krimit”, u shpreh ai.

“Këtu gjendemi për t’i dhënë mesazh vëllazërie gjithë botës”

Ndërsa Yahya Tuyan, i cili në sulmin terrorist në Zelandën e Re e humbi vëllaun e tij Zekeriya Tuyan, tregoi se ndodhitë i ka parë në televizion.

“Përderisa njerëzit luteshin, ishin në xhami me ndjenja të pastërta, është i pabesë një sulm i tillë. Kaluan dy vite por nuk mund ta harroj dhimbjen e vëllaut tim”, tha Tuyan.

“Edhe këtu ndodhi masakër. Jemi këtu për t’i përcjell të gjithë botës mesazh vëllazërie”, tha ai në lidhje me shkakun e vizitës së tij në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ndërkaq, Mustafa Boztaş, i cili mbijetoi sulmin e para dy viteve, tha se jeton në Zelandën e Re që nga viti 2009 dhe në Christchurch ka shkuar për studime. Ai shpjegoi se në sulm është plagosur në këmbë dhe me daljen e terroristit nga xhamia ai ka ikur nga dritarja.

Ai shtoi se në Bosnjë dhe Hercegovinë ka ardhur për t’i dhënë mesazh vëllazërie dhe dashurie botës.

Më 15 mars 2019, gjatë namazit të xhumasë, xhamitë Nur dhe Linwood në Christchurch të Zelandës së Re, u sulmuan nga terroristi Brenton Tarrant me armë automatike.

Në gusht të vitit 2020 terroristi Tarrant u dënua me burg të përjetshëm për shkak të sulmit terrorist që vrau 51 persona dhe plagosi 49 tjerë.