Lionel Messi ia ka bërë të qartë Barcelonës se dëshiron të largohet menjëherë nga klubi, pas dështimit të të katalanëve në Champions, përballë Bayernit të Mynihut. “Ylli” argjentinas bëri një figurë jo të mirë bashkë me shokët e ekipit teksa u mposhtën thellë 8-2 në Lisbonë, duke pësuar poshtërimin më të madh në histori.
Kjo ka bërë që Messi të marrë në konsideratë të ardhmen e tij. Sipas “Esporte Interativo”, tani ai kërkon largimin e menjëhershëm, pasi ka mbetur tepër i zhgënjyer nga mënyra sesi është drejtuar klubi.
Ai thuhet se ndihet i izoluar pas dështimeve të përsëritura në Ligën e Kampionëve dhe zhgënjimit të fundit në La Liga.
Lajmi vjen pasi “Sunday Mirror” zbuloi ekskluzivisht se Manchester City është në “pole” për të rrëmbyer Messin, nëse ai vendos të largohet nga “Nou Camp”.
Citizens do t’i paguanin Messit gjithçka që duhet për ta joshur dhe për ta ribashkuar atë me Pep Guardiolën në “Etihad”. Interes për 6 herë fituesin e Topit të Artë ka patur edhe nga Interi, por tashmë zikaltrit duhet të jenë më konkretë, pasi do të kenë një konkurrent të fortë për një nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit.


