Meta propozon Gent Sejkon për guvernator të Bankës së Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta i ka propozuar Kuvendit Gent Sejkon për t’u rizgjedhur Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Në njoftimin e Presidencës vlerësohet roli i Bankës së Shqipërisë për t’u siguruar që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm.

“Vlerësojmë politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal.  Gjithashtu është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i ka përfunduar mandati në datën 5 shkurt 2022.

Ai u emërua në këtë post në shkurt të viti 2015, për të vijuar mandatin e lënë për gjysmë nga Ardian Fullani, i arrestuar në atë kohë për skandalin e vjedhjes së miliona lekëve nga Banka e Shqipërisë.