Meta sulmon Sorosin: Jam i racës së Avni Rustemit, miliardat investoji në tregjet e mëdha, jo në Shqipëri

Pas “Edi reflekto”, Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se ka ndryshuar agjendën në “Edi thellohu”, duke paralajmëruar kryeministrin se ky është atdheu i të gjithë shqiptarëve.

Tani kam një agjendë tjetër në këtë drejtim për zgjidhjen e krizës: Edi thellohu. Thellohu, se ky është atdheu i të gjithë shqiptarëve, nëse ti nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura në interes të vendit tënd, kombit tënd dhe qytetarëve të tu, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga të gjithë ata miliarderë që u duket shqiptaria një mizë lisi dhe mund të tallen si të duan me strukturat e “deep state” (shteti i thellë – struktura paralele) për “state capture” (kapjen e shtetit).

Dy fjalë për miliarderin George Soros: “nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orbanin në vitin 2000, në Janar, kur unë po i flisja me gjithë dashuri për Sorosin, i cili me thënë të drejtën atëherë na ndihmoi në kohën e opozitës. T’i gëzojë ato miliardat e veta, Shqipëria është me të vërtetë një vend i vogël për përmasat e tij, të vazhdojë të punojë dhe të investojë në tregjet e mëdha, sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit, është President i Shqipërisë dhe do i dalë për Zot Shqipërisë. Është i racës së politikanëve të tipit Avni Rustemi, edhe i ca shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, Vojo Kushi etj.

Meta tha se për të demokracia është e paneogocieshme, “nuk e negocioj demokracinë me asnjë shqiptar, me asnjë ambasadë, me asnjë shtet.”

“Atëherë, zgjedhjet janë më 13 Tetor, dekretin e Presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë. Pra të gjitha këto, pallavrat, KQZ-rat, rezoluta e Kuvendit Socialist, me opozitën e re të skandalit të Unazës së Re, dhe me Kolegjin Socialist, nuk ka njeri që mund ta vërë në diskutim këtë gjë.”

Propozimi i Metës për zgjidhjen e krizës është zgjedhje të parakohshme të përgjithshme parlamentare dhe presidenciale, në të cilat thotë se do të kandidojë edhe vetë.

“Në 13 Tetor edhe zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për Presidentin. Dhe unë do të kandidoj për President, me këto kompetenca që janë, skam asnjë shqetësim, dhe Edi Rama e Kuvendi Socialist që s’më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit të qytetarëve shqiptar. Që të mos na shkojnë prapë të na futen në Ambasada dhe të mbushin prapë anijet dhe të ikin në Europë. Boll e zbrazëm Shqipërinë.”, raporton Tv Klan.