Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 5 humbje të jetëve të tjera.
Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 706 ndërsa i të arrestuarve në 3.059.
Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 657 persona të tjerë.
Nga ana tjetër, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Fitch Solutions, vlerësoi se ekonomia e vendit që u ndikua negativisht nga protesta kundër puçit ushtarak këtë vit do të tkurret për 20 për qind.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.



