Ministri francez anulon pjesëmarrjen në “Davosin e shkretëtirës”

Ministri i Ekonomisë së Francës, Bruno Le Maire, bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në konferencën për investime e cila do të mbahet në Rijad nën kujdesin e princit të kurorës së Arabisë Saudite

Ministri i Ekonomisë së Francës, Bruno Le Maire, bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në konferencën për investime e cila do të mbahet në Rijad mes datave 23-25 tetor nën kujdesin e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Selman, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Le Maire në një program në kanalin Public Senat tha se nuk do të marrë pjesë në konferencën “Iniciativa për Investim në të Ardhmen” (FII) që do të mbahet në Rijad. Ai rikujtoi deklaratën e javës së kaluar të presidentit francez Emmanuel Macron, me ç’rast tha se “Gjërat që kanë ndodhur janë shumë të rënda. Të gjitha pikat e errëta duhet të sqarohen. Në këtë gjendje nuk do të shkoj në Rijad”.

Ai gjithashtu kujtoi se me këtë vendim nuk është marrë në shënjestër partneriteti strategjik mes dy vendeve.

Anulimet e para nga Franca për mbledhjen e cila quhet edhe si “Davosi i shkretëtirës” erdhën që dje. Kryetari i Bordit Drejtues të Bankës BNP Paribas, Jean Lemierre dhe Drejtori i Përgjithshëm i Societe Generale, Frederic Oudea, njoftuan se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen në fjalë.

Gjithashtu edhe Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Christine Lagarde ditë më parë tha se nuk do të marrë pjesë në konferencë.

Në fillim të javës drejtori ekzekutiv i njërit nga institucionet më të mëdha në SHBA, JPMorgan Chase, Jamie Dimon, drejtori ekzekutiv i Blackrock, Larry Fink, drejtori ekzekutiv i Blackstone, Stephen Schwarzman, drejtori ekzekutiv i Google, Cloud Diane Greene dhe drejtori ekzekutiv i Bursës së Londrës, David Schwimmer, njoftuan se kanë anuluar pjesëmarrjen në konferencë për shkak të zhdukjes së gazetarit saudit të “Washington Post”, Jamal Khashoggi.

Ndërsa javën e kaluar kryetari i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, drejtori ekzekutiv i Uber Dara Khosrowashahi, kryetari i Bordit Drejtues të Fordit, Bill Ford, themeluesi i AOL, Steve Case, drejtori ekzekutiv i Viacom, Bob Bakish dhe një ndër ish-drejtuesit e Google-s, Kai-Fu Lee ishin në mesin e atyre që anuluan pjesëmarrjen.

Konferenca FII të cilën princi i kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Selman e filloi për shkak të promovimit të vizionit 2030 për vendin e tij, ende nuk dihet nëse vallë do të organizohet këtë vit për shkak të anulimeve që ndodhën lidhur me zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi më 2 tetor pasiqë kishte hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.