Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj vizitë në Maqedoninë e Veriut

"Tani, si anëtare e 30-të e plotë e NATO-s, ne jemi aleatë me Shqipërinë, që është një moment vendimtar për krijimin e parashikueshmërisë së sigurisë, politike dhe ekonomike jo vetëm midis dy vendeve, por edhe në rajon", tha Osmani

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Cakaj u prit nga ana e Osmanit para ndërtesës së MPJ-së në Shkup. Osmani dhe Cakaj mbajtën takim tet-a-tet, sipas të cilës vijoi konferenca e tyre e përbashkët.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani, theksoi se ata u takuan me Cakajn për herë të parë në Bruksel në vitin 2018 kur ata drejtuan dy delegacionet shtetërore së bashku, siç tha ai, në skreningun shpjegues me BE-në, dhe se që atëherë kanë filluar të punojnë së bashku për marrjen e vendimit për fillimin e negociatave që ndodhën në samitin në Zagreb.

Sipas Osmanit, tani ata kanë një sfidë shtesë për ta vënë në veprim këtë vendim, gjegjësisht, tha ai, për të operacionalizuar këtë vendim të Këshillit Evropian dhe se kjo ishte një nga temat e takimit të sotëm me ministrin Cakaj.

“Përfitova nga rasti të falënderoj Republikën e Shqipërisë për mbështetjen që i ka dhënë Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në NATO. Tani, si anëtare e 30-të e plotë e NATO-s, ne jemi aleatë me Shqipërinë, që është një moment vendimtar për krijimin e parashikueshmërisë së sigurisë, politike dhe ekonomike jo vetëm midis dy vendeve, por edhe në rajon”, tha Osmani.

Ai tha se në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe, në takim ata arritën në përfundimin se nuk ka çështje të hapura politike midis dy vendeve.

Osmani informoi se me Cakaj diskutuan për çështje rajonale dhe sfida rajonale, siç është bashkëpunimi ekonomik, i cili sipas tij duhet të intensifikohet në periudhën e ardhshme.

“Së bashku konstatuam se duhet të krijojmë mekanizma për monitorimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar edhe në kuadër të takimit ndërqeveritar midis dy shteteve, por edhe përmes intensifikimit konkret të dinamikës së kontakteve dhe bashkëpunimit dhe këto marrëdhënie të shkëlqyeshme që i kemi me Republikën e Shqipërisë t’i konkretizojmë në projekte konkrete në interes të qytetarëve”, shtoi Osmani.

Ai tha se vizita e ministrit Cakaj në Maqedoninë e Veriut është një mesazh i afërsisë dhe miqësisë.

Cakaj theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të rrënjosura në trashëgiminë e përbashkët historike.

“Vizita ime në Shkup është shprehje e përkushtimit tonë të thellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral, për bisedimin e disa çështjeve lidhur me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht që së bashku të mendojmë për një seri procesesh të nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian”, tha Cakaj.

Ai theksoi se nuk mund ta fshehte kënaqësinë e tij të thellë që erdhi sot në Shkup për një arsye të dyfishtë.

“Së pari, unë erdha këtu menjëherë pas emërimit të një qeverie pro-perëndimore, e cila ka një vizion të qartë për anëtarësimin e vendit në BE, duke ruajtur tre marrëveshjet që janë mjaft të vlefshme për cilësinë e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut por edhe për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, gjegjësisht Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë”, tha Cakaj, duke shtuar:

“Por, nga ana tjetër nuk e fsheh kënaqësinë time që miku im zotëri Osmani është shqiptari i parë që udhëheq diplomacinë e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është një element që është në shërbim të forcimit të faktorit shqiptar, por realisht është kontribut i vlefshëm edhe në rrugën për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE”, tha ai.

Cakaj theksoi se me Osmanin diskutuan çështje të ndryshme për ruajtjen e momentumit pozitiv dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis këtyre vendeve dhe ngjarjeve politike në rajon, veçanërisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“Për Republikën e Shqipërisë, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë jo më pak se njohja reciproke. Dua ta shpreh qartë. Po ashtu diskutuam rëndësinë e intensifikimit të angazhimit tonë të përbashkët për të çuar më tej procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE)”, tha Cakaj, duke shtuar se hapja e bisedimeve të anëtarësimit është një vendim historik për të dy vendet.

Ai tha se janë dakorduar të krijojnë një sekretariat teknik që do të ishte një garantues institucional i zbatimit të të gjitha marrëveshjeve midis dy vendeve.

Sipas njoftimit, Cakaj në kuadër të vizitës në vend pritet të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të Maqedonisë së Veriut.

Zaev pret në takim kryediplomatin shqiptar, Gent Cakaj

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka pritur në takim ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në takim ministri Cakaj ishte i shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Shkup, Fatos Reka.

Siç thuhet në njoftim, në takim u shprehën urime për rizgjedhjen e Zaevit në pozitën e kryeministrit si dhe për zgjedhjen e qeverisë së re të vendit ku shihet “konfirmimi i përkushtimit të qytetarëve dhe vendit për integrimet euro-atlantike”.

“Bashkarisht u konkludua se të dy vendet nuk kanë çështje të hapura dhe se kjo hap rrugën për të përdorur potencialin e plotë të zonave të rëndësishme për qytetarët, të tilla si infrastrukturën, energjinë dhe ekonominë, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e jetës në të dy vendet”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se në atë drejtim u diskutua mundësia e mbajtjes së një seance ndër-qeveritare.

“Qëllimi ynë është evropianizimi i vendit dhe zhvillimi ekonomik. Ne kemi formuar një qeveri të qëndrueshme dhe jemi të përqendruar në forcimin e kapaciteteve të sistemit, veçanërisht përmes arsimit dhe sundimit të ligjit. Kemi suksese pas nesh, këto janë marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, ne në vend po ndërtojmë ‘Një shoqëri për të gjithë’, të barabartë për të gjithë qytetarët dhe e gjithë kjo na mundësoi që në këtë mandat t’i përkushtohemi përparimit brenda vendit, në të gjitha fushat për të mirën e jetës së përditshme të qytetarëve”, tha Zaev në takim.

Sipas njoftimit, në takim bashkarisht është konstastuar se rajoni ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim të zgjeruar ekonomik dhe se është në interes të përbashkët të zgjidhen të gjitha çështje dypalëshe përmes dialogut, me qëllim perspektivat euro-atlantike të të gjithë Ballkanit Perëndimor.Zaev pret në takim kryediplomatin shqiptar, Gent Cakaj