Ministri kosovar Veliu zhvilloi bisedë telefonike me homologun turk Soylu

​Turqia përkrah Kosovën në anëtarësimin e saj në institucionet dhe mekanizmat e sigurisë...

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Agim Veliu, ka zhvilluar bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Turqisë, Süleyman Soylu, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit për media nga kjo ministri, Veliu ka falënderuar homologun e tij turk për përkrahjen që Republika e Turqisë i ka ofurar Republikës së Kosovës, “në veçanti Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tyre”.

Me theks të veçantë, në bisedë është diskutuar për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID- 19 për të dyja vendet dhe masat e ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e saj.

“Gjatë bisedës, ministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërshtetëror mes dy vendeve sa i përket fushës së sigurisë dhe sigurimit të mbështetjes së Turqisë në avancimin e mekanizmave të sigurisë. Po ashtu u diskutua edhe për lëvizjet migratore që po përdorin territorin e Republikës së Turqisë dhe përmes korridoreve të tjera po arrijnë në Kosovë”, bën të ditur njoftimi.

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Turqisë, Soylu, theksoi kontributin dhe punën e ministrit Veliu dhe Qeverisë së Kosovës si kontribues i stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Gjithashtu, ministri Soylu ka shprehur “gatishmërinë e Republikës së Turqisë për përkrahje të vazhdueshme për Republikën e Kosovës për anëtarësimin në institucionet dhe mekanizmat e sigurisë”.

Me këtë rast, sipas njoftimit nga ministria, të dy ministrat e Punëve të Brendshme u pajtuan që të takohen në një të ardhme të afërt për intensifikim të bashkëpunimit mes të dy vendeve, “me qëllim të forcimit të institucioneve ndërshtetërore në sundimin e rendit dhe ligjit si dhe sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit”.