Ministri turk Albayrak vlerëson takimin me Trump: Mjaft pozitiv dhe konstruktiv

Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontakte zyrtare, u prit të hënën nga Presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” mëngjesin e së martës, Berat Albayrak bëri me dije se me Presidentin Trump është takuar në kuadër të vizitës së tij në kryeqytetin Uashington të SHBA-së.

“Gjatë takimeve tona me sekretarin amerikan të Thesarit, Steve Mnunchin dhe kryekëshilltarin e lartë, Jared Kushner, për të diskutuar hapat për rritjen e bashkëpunimit, ne u pritëm nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, në Uashington. Ne gjithashtu i përcollëm (Trumpit) përshëndetjet dhe mesazhet e presidentit tonë (Recep Tayyip Erdogan)”, tha Albayrak në “Twitter”.

Ai po qëndron në Uashington për të marrë pjesë në Konferencën 37. Vjetore të Partneritetit, një veprimtari treditore biznesi e organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme të Turqisë (DEIK), Këshilli i Biznesit Turqi-SHBA (TAIK) dhe Këshilli Amerikano-Turk (ATC), raporton TRT.

Ministri Albayrak shoqërohet nga ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar dhe zëvendësministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar.

Përpara fjalimit të tij në këtë konferencë, ministri turk i Thesarit dhe Financave vlerësoi për gazetarët takimin e tij me Presidentin Trump.

“Ishte një takim mjaft pozitiv, i mirë dhe konstruktiv”, deklaroi ai duke shpjeguar se në fokus ishin blerja e raketave S-400 nga Rusia, rritja e vëllimit tregtar ndërmjet dy vendeve në 75 miliardë dollarë dhe disa kapituj të rëndësishëm në kontekstin e bashkëpunimit për çështjet rajonale.

“Morëm reagime shumë pozitive nga Trumpi”, shtoi ministri turk dhe theksoi se të gjitha këto do t’ia përcjellë Presidentit Erdogan.

I pyetur se si duhet komentuar takimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë me një zyrtar në nivelin e ministrit, Albayrak u përgjigj duke thënë se “takimi është diçka që tregon rëndësinë që i kushtohet Turqisë, gjithashtu peshën strategjike të Turqisë”.

Duke potencuar se të gjitha këto duhet të merren parasysh kur trajtohen marrëdhëniet Turqi-SHBA, ministri bëri me dije se presidentët Erdogan dhe Trump mund të takohen brenda një kohe të shkurtër.

Ndërsa në fjalën drejtuar të pranishmëve gjatë darkës gala të Konferencës 37. Vjetore të Partneritetit, ai vuri në pah se të dyja vendet kanë pjekuri dhe kapacitet të mjaftueshëm për të kapërcyer problemet në marrëdhëniet ndërmjet tyre.

“Thellësia historike dhe fuqia institucionale e aleancës së sigurisë Turqi-SHBA në kuadër të NATO-s, janë guri i themelit të marrëdhënieve tona bilaterale”, vlerësoi Berat Albayrak duke shpjeguar se me vendimin e Presidentit Trump për tërheqjen e SHBA-së nga Siria është krijuar një shans për të rikuperuar dëmet që u janë bërë marrëdhënieve turko-amerikane.

“Nëse bisedimet që po realizohen ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së për zonën e sigurisë (në Siri) prodhojnë një raport funksional, atëherë do të realizohet bashkëpunimi i parë real ndërmjet forcave të sigurisë së dy vendeve në terren. Duhet të jetë përgjegjësi e qeverive tona që të qëndrojnë kundër të gjithë aktorëve, të cilët përpiqen të parandalojnë një bashkëpunim të tillë”, përfundoi fjalën e tij ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë.