Ministri turk i Arsimit: Vaksina do të ndihmojë në rihapjen e shkollave

Në panelin editorial të AA-së, ministri Selçuk theksoi se vaksina COVID-19 do të hapë rrugët "që të zhvillojmë edukimin ballë për ballë"

Ministri i Arsimit i Turqisë, Ziya Selçuk, ka deklaruar se vaksina kundër koronavirusit të ri (COVID-19), të cilën vendi i tij filloi ta marrë nga Kina, do të ndihmojë shumë në rihapjen e shkollave.

Në panelin editorial të Anadolu Agency (AA), ministri Selçuk theksoi se vaksina COVID-19 do të hapë rrugët “që të zhvillojmë edukimin ballë për ballë”.

Selçuk tha se pas vaksinimit të grupeve me rrezik të lartë, përfshirë të moshuarit dhe punonjësit e shëndetit, edhe mësuesit mund të vaksinohen nëse dëshirojnë.

Herët në mëngjes, Turqia pranoi 3 milionë dozat e para të vaksinës COVID-19, të porositura nga kompania kineze Sinovac. Duke njoftuar mbërritjen e vaksinave në Twitter, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se vaksinimi do të fillojë pas testeve që do të zgjasin për 14 ditë.

Duke folur për rihapjen e shkollave në disa vende gjatë pandemisë, Selçuk tha se Turqia nuk e bëri atë sepse duhet marrë parasysh struktura e vendit dhe zakonet shoqërore.

“Kur shohim pas, mund të them se jemi të kënaqur me pjesën më të madhe të punës”, tha Selçuk, duke folur për masat e marra kundër pandemisë në fushën e arsimit.

Ai theksoi se kapaciteti i edukimit në distancë ishte 100 mijë në fillim, ndërsa tani kjo shifër ka shkuar në mbi 3 milionë.

Ministri turk tha se në një shoqëri normalizimi nuk mund të arrihet pa rihapjen e shkollave, duke shtuar se që të ndodhë normalizimi, “së pari duhet të kujdesemi për shkollat”.

Turqia rifilloi sistemin e saj të edukimit në distancë që nga 20 nëntori dhe do të vazhdojë deri më 4 janar të vitit 2021, pasi fillimisht më 21 shtator hapi pjesërisht shkollat.

Edukimi në distancë do të vazhdojë përmes kanaleve të Rrjetit Informativ të Edukimit (EBA) të transmetuesit kombëtar TRT dhe përmes kurseve të drejtpërdreta, përderisa të gjithë mësuesit mund të kryejnë mësime në transmetim të drejtpërdrejtë përmes EBA-s.