Ministrja e Bujqësisë merr pjesë në diplomimin e studentëve të UBT: Mundësi bashkëveprimi me në fokus të rinjtë

Mbi 1500 studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës u diplomuan të dielën në një ceremoni madhështore në ambientet e UBT. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca mori pjesë në këtë moment të rëndësishëm të të rinjve, që mbyllin një cikël të jetës së tyre por nisin një rrugë të re. Nën kujtimet e saj, gati 21 vite më parë, ministrja Krifca inkurajoi studentët të njohin, eksplorojnë dhe duan terrenin shqiptar të bujqësisë.

“Ditën, kur kjo ceremoni ndodhi për mua, as e kisha imagjinuar që destinacioni im, 21 vjet më vonë, do të ishte ky i sotshmi – të jem ministri i bujqësisë dhe zhvillimit rural. Destinacion në të cilin kam nderin dhe mundësine të dirigjoj mbi 2000 punonjës të bujqësisë dhe të ndikoj përmes politikave, fuqizimin e një sektori që punëson gjysmën e popullsisë së vendit, të ndikoj në përmirësimin e cilësise së jetës në zonat rurale dhe të ndihmoj zhvillimin e një sektori që jep kontribut të rëndësishem në prodhimin e brendshëm bruto të ekonomisë shqiptare. Kështu dhe ju, pas investimit të bërë në këtë Universitet, tani dilni dhe eksploroni terrenin shqiptar të bujqësisë”.

Krifca iu tha studentëve se Ministria e Bujqësisë mbetet një mundësi e hapur punësimi për ta.

Ju jeni pjesë e një Universiteti që ka një histori mahnitëse në bujqësi, që shërben për njerëzit dhe tokën nëpërmjet shkencës. Ju jeni e vetmja mundësi se si mund të zhvillohet sektori bujqësor.
Ministria do të vazhdojë të jetë një mundësi e hapur për studentët dhe të rinjtë. Një derë, që padyshim mund të jetë vendi juaj i punës. Ne kemi shumë studentë që falë edhe praktikave të kryera pranë insitucioneve tona, sot janë pjesë e rëndësishme e stafit. Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është edhe një mundësi bashkëveprimi me një sërë programesh që kanë në fokus të rinjtë dhe studentët.

Krifca tha për studentët se bujqësia është në një rrugë të mbarë zhvillimi, ndërsa shtoi se bashkëpunimi i akademisë me Politikat publik është një binom i suksesshëm.

“Bujqësia është futur në një rrugë zhvillimi, ka rritje në eksporte ku sektori zë vendin e tretë për nga rëndësia. Fermerët po perdorin praktika të mira orientuar drejt tregjeve dhe po ndërtohet zinxhiri i vlerës. Së bashku ne kemi shansin të forcojmë më tej transmetimin e dijes në fermë, ta bëjmë tokën edhe më prodhuese e produktive dhe njerëzit e punës kanë nevojë për ju. Akademia dhe politikat publike, kur koordinohen, përbëjnë binomin më të suksesshëm. Ndaj ju të gjithë keni nje ze ne kapitull per bashkepunim ne ide dhe angazhime te reja te sektorit” .

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, në fjalën e tij uroi studentët për diplomimin.

foto galeri