Mjegullnaja mbi dorëzimin e ish-deputetit, Alqi Bllako

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako – i akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre – është dorëzuar tek organet e policisë pas aludimeve për një arratisje të mundshme. Pas dorëzimit të mandatit të deputetit dhe protokollimit të vendimit të tij nga Kuvendi, gjykata i hapi rrugën arrestimit të tij të enjten rreth orës…

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako – i akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre – është dorëzuar tek organet e policisë pas aludimeve për një arratisje të mundshme.

Pas dorëzimit të mandatit të deputetit dhe protokollimit të vendimit të tij nga Kuvendi, gjykata i hapi rrugën arrestimit të tij të enjten rreth orës 16:00.

Prej kësaj ore, policia mund të kryente në çdo moment arrestimin e ish-deputetit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri në orët e para të së premtes kur ishte deputeti është dorëzuar në polici.

Nuk dihen arsyet pse është vonuar ekzekutimi i vendimit për arrestimin e ish-deputetit, ndërsa njoftimi i policisë ka ardhur vetëm pas aludimeve të shumta në media.

Policia në njoftimin e saj u kujdes të theksonte se vetë dorëzimi kishte ardhur në orët e mbrëmjes së të enjtes.

Burime pranë Policisë bëjnë me dije për Euronews Albania se vetë dorëzimi nuk ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të enjtes, por në orët e para të së premtes.

Tashmë Bllako pritet të dalë para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë arrest me burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit.

Aludimet për një arratisje të mundshme u nxitën nga një fotografi e publikuar nga avokati i tij, Sokol Hazizaj nga një avion me mbishkrimin “Mirupafshim”.