Monitorim mediave audiovizive, shërbimeve portuale dhe ekonomisë dixhitale

Po kështu Konkurrencës i është kërkuar që të zgjerojë më tej ndërhyrjen në procesin ligjbërës duke mos u fokusuar në vlerësimin e projektit të një propozimi të ri ligjor por edhe në vlerësimin e legjislacionit ekzistues me qëllim evidentimin e pasojave të padëshirueshme që mund të ketë pasur një ligj, duke harmonizuar këtë ndërhyrje në nivel kombëtar dhe vendor.

Autoritetit të Konkurrencës i është kërkuar që brenda këtij viti të paraqiten amendimet e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Kjo është të paktën një nga shtatë detyrat që ka lënë Kuvendi i Shqipërisë për këtë institucion. Duke vlerësuar disa masa të marra në vitin e kaluar për tregjet që janë vënë nën hetim apo monitorim, Kuvendi ka kërkuar që të vazhdojë e njëjta praktikë edhe në këtë vit.

Sipas projektrezolutës në pikën një thuhet se Autoriteti i Konkurrencës duhet që të vazhdojë monitorimet, hetimet dhe analizat në tregjet sensitive dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit, por edhe për tregjet e tjera referuar praktikave të ngjashme të vendeve të BE-së si tregu i medias audiovizive, shërbimeve portuale dhe sektori i ekonomisë dixhitale.

Po kështu Konkurrencës i është kërkuar që të zgjerojë më tej ndërhyrjen në procesin ligjbërës duke mos u fokusuar në vlerësimin e projektit të një propozimi të ri ligjor por edhe në vlerësimin e legjislacionit ekzistues me qëllim evidentimin e pasojave të padëshirueshme që mund të ketë pasur një ligj, duke harmonizuar këtë ndërhyrje në nivel kombëtar dhe vendor.

Një tjetër detyrë është edhe ajo e organizimit të më shumë trajnimeve/seminareve në fushën e prokurimit publik për autoritet kontraktuese dhe për bashkësinë e biznesit në mënyrë që të udhëzohet drejt hartimi optimal të procedurave të prokurimit publik, për të shmangur marrëveshjen e fshehtë dhe bid rigging (kur ofertuesit bien dakord paraprakisht për të nxjerrw një ofertë fituese duke minuar konkurrencën) dhe të rritet ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e konkurrencës në prokurimin publik.

Konkurrencës i është kërkuar të krijojë mekanizma efektivë konsultimi me bizneset dhe partnerët socialë për të siguruar transparencë dhe parashikueshmëri të masave mbështetëse dhe legjislacionit në fushën e konkurrencës.

Në fund është rekomanduar edhe që Autoriteti të rrisë përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës me fokus të veçantë botën akademike, me synimin që të sigurojë një gjeneratë profesionistësh, të cilët do të jenë të formuar në fushën e ligjit dhe të ekonomisë së konkurrencës dhe të pajisur me dije për të trajtuar politikat e konkurrencës dhe çështje të rregullim. N.Maho