“Morën 10 mijë euro për të liruar të dënuarin me 10 vjet burg”/ SPAK vendos arrest me burg për efektivët e policisë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy punonjësit e policisë të cilët pasi kanë arrestuar një shtetas të dënuar me dhjetë vjet e 6 muaj burg, e kanë lënë sërish të lirë, pas përfitimit të një shume prej 10 mijë euro.

Mësohet se në datën 10 Gusht 2021, dy efektivë policie në Durrës, përkatësisht V.B., dhe G.LL., pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej shtetasi A.M., i cili ishte shpallur në kërkim për efekt të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor të formës së prerë të ish – Gjykatës për Krime të Rënda, sipas të cilit ky shtetas ishte dënuar me 10 vjet e 6 muaj burgim- fillimisht e kanë lokalizuar dhe pastaj kapur, duke e marrë më pas në automjetin me të cilin lëviznin.

Pasi kanë negociuar me personin që ishte shpallur në kërkim, punonjësit e policisë kanë vendosur ta lënë të lirë, në shkëmbim të marrjes prej tij të një shumë prej 10 mijë euro.

Në bazë të kërkesës së SPAK, gjykata caktoi masën e sigurisë  “Arrest në burg”, ndaj punonjësve të policisë V.B. dhe G.LL., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal.

Masat e sigurimit personal për dy punonjësit e policisë së shtetit u ekzekutuan sot me datë 31.01.2022 nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Po kështu nga gjykata është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit A.M., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal.