Njerëzimi ka kaluar në faza të ndryshme zhvillimi, dhe në vijim të këtyre fazave, janë dashur dekada që të plotësohet procesi i ngritjes së sistemeve të reja. Si psh. një gjeneratë e cila ka jetuar në kohën e Luftës së II-të Botërore në shumicën e rasteve nuk ka arritur të jetojë të gjithë ndryshimin e ardhur bashkë me luftën ose të jetojë në sistemin e para dhe pas luftës njëherësh. Nisur nga kjo në ditët e sotme gjendemi në mesin e një vale ndryshimesh shumë të shpejta dhe marramendëse. Aq sa megjithëse po jetojmë në periudhën më të ndritur të informacionit, njeriu e ka të vështirë t’i ndjekë këta ndryshime.
Kështu marrëveshjet tashmë 100 vjeçare po shkojnë drejt përmbushjes së funksionalitetit të tyre, ndërsa ai që gjerësisht konsiderohet si sistemi ndërkombëtar mund të thuhet se tanimë nuk funksionon më. Me të drejtë shumë specialistë, madje dhe figura të ndritura të ashtuquajturit ‘sistem ndërkombëtar’, shprehen se është braktisur sistemi i ligjeve apo ai i marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa në vend të tyre ka nisur të funksionojë ‘ligji i xhunglës’.
Shtimi i konflikteve dhe zbatimi i ‘ligjit të xhunglës’
Thuajse në të gjithë globin mund të hasen luftëra apo konflikte të armatosura që ngjajnë pikërisht me luftën e ftohtë. Nga ana tjetër shumica e vendeve që konsiderohen si vende të zhvilluara, kanë nisur të shtojnë buxhetin e përcaktuar për mbrojtjen dhe për fushën e armatimeve, aq sa bazuar në apelet e fuqive më të mëdha, harxhimet që dikur arrinin në 2% të PBB (prodhimi i brendshëm bruto), tashmë arrijnë deri në 5% të kësaj vlere. Në këtë pikë çdokush ndihet paksa i çoroditur, pasi e gjithë kjo të çon të mendosh se tashmë bota po shkon drejt një lufte të tretë botërore, madje edhe se fillimi i kësaj lufte është i pashmangshëm…
Sigurisht që kanë të drejtë, pasi në kuadër të këtij ligji të xhunglës të fortët vrasin, bastisin, gjobisin, gllabërojnë dhe në fund sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, pasi fundja atyre asgjë nuk u ndodh.
Indiferentizmi ndaj luftës në Gaza
E tillë ishte dhe lufta në Gazë, gjatë së cilës me urdhër të fuqive të mëdha e gjithë bota mbylli të dy sytë njëherësh përballë një gjenocidi që iu servir njerëzimit ashtu si një program televiziv horror i transmetuar drejtpërdrejt. A mund të flasim për kundërshtim të gjithë kësaj që ndodhi? Jo, patjetër që jo, përkundrazi, pati edhe nga ata që shkuan duke shprehur servilizmin e tyre ndaj vrasësve të dhjetëra mijëra fëmijëve, grave dhe të moshuarve, kështu lanë me gjakun e këtyre të pafajshmëve gjuhën sa herë që shprehnin lajka ndaj kriminelëve të shekullit. Ndoshta për ne shqiptarët e gjithë kjo na kujton diçka të përjetuar disa vite më parë jo shumë larg, por pikërisht në tokat dhe shtëpiat e vëllezërve tanë në Kosovë, në një kohë në të cilën liderët komunistë apo majtistë e konsideronin si diçka “normale” vrasjen e fëmijëve në Kosovë… Teksa sot, ndërsa konfliktet e armatosura sa vijnë e shtohen, ngjarjet makabre që ndodhin gjatë çdonjërit prej tyre vijojnë të konsiderohen më se normale. E ky ‘normalitet’ i këtyre konflikteve dhe luftërave po na çon të gjithëve drejt një të ardhmeje shumë të panjohur dhe të errët.
Në këtë kontekst ajo që ndoshta çdokush prej nesh pyet me të drejtë është kjo: Mos gjendemi gjë në një prag të një rendi të ri botëror?
Pavarësisht se përgatitjet për luftëra dhe përplasjet fizike janë të shumta, bota ende nuk është gati për të shkuar drejt një përplasjeje fizike në fushëbetejë. Do të thoja se ndoshta është fillimi i një përgatitjeje të një fundi të trishtë, nisja e të cilit mbase do të marë disa dhjetëra vite…
Megjithatë siç e thamë përgatitjet kanë nisur dhe tashmë vendet jo vetëm kanë hyrë në një garë dhe po fokusohen mbi forcimin e ushtrive dhe prodhimin e armëve, por njëkohësisht kanë shtuar ‘luftën’ politike për aleanca dhe qëndrime strategjike, të cilat do të ndikojnë thellë në një përleshje të përgjakshme e të përgjithshme që mund të ndodhë në dhjetëvjeçarët në vijim.
Ashtu siç e dimë të gjithë ne luftërat politike janë gjithmonë të ndërlidhura me ato ekonomike. Pasi është pikërisht aspekti ekonomik i gjithë kësaj ai që mundëson sigurimin e një ushtrie dhe një armatimi të denjë bashkëkohor. Teksa globi po ec hap pas hapi drejt një rendi të ri botëror, çuditërisht brezi jonë po e përjeton këtë kalim në një mënyrë shumë të shpejtë, ndërsa shohim se si gjigandët e ekonomisë botërore bëjnë përpjekjet e tyre të njëpasnjëshme për të rritur ndikimin ekonomik në fusha sa më të gjera…
Përplasja SHBA-Kinë në arenën ekonomike dhe ndikimi i kësaj në aktorë të tjerë
Rritja e shpejtë dhe do të thoja deri diku e frikshme ekonomike e Kinës duket se ka vënë në siklet SHBA-në, e cila nga lëvizjet politike po e tregon hapur stresin që ndjen nga mundësia e humbjes së pozitës së ‘liderit të botës’, ashtu si vetë Amerika pretendon. Megjithatë sipas shumë analistëve nga perëndimi dhe nga kontinente më të largët Kina shumë shpejt mund ta tejkalojë SHBA-në në shifra, por ky tejkalim nuk duket se do të përjetohet aq qetësisht.
Pas përlasjes së drejtpërdrejtë të SHBA-së më Kinën në të ashtuquajturën ‘luftën e taksave’, tashmë SHBA-ja duket se është duke sulmuar vendet të cilat aktualisht janë ose në të ardhmen mund të jenë bastione të Kinës. Nga njëra anë ajo kërcënon Iranin, duke dashur heshtur që Irani të ndërpresë bashkëpunimin me Kinën dhe Rusinë. Kështu të dobësojë forcën ekonomike të dy fuqive rivale të saj.
Meqë duket haptazi se ‘ari i zi’ do të jetë kryefjala e ekonomisë botërore edhe shumë kohë, Venezuela dhe Irani do të jenë çelësi i SHBA-së për të ushtruar dhe për ca kohë rolin e drejtimit të globit. Sigurisht në këtë pikë nuk duhet të anashkalojmë se një ndër furnizuesit më kryesorë të Kinës me arin e zi është pikërisht Irani. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë nëse Irani bie, SHBA-ja do të ketë mundësi të shtiejë në dorë thuajse treçerekun e arit të zi në botë. Si rrjedhojë e kësaj Kina do të gjunjëzohej ekonomikisht dhe kështu do të detyrohej t’i bindej lidershipit të SHBA-së për shumë kohë.
Nuk është ky guri i vetëm i SHBA-së në lojën e shahut, e cila po shkon drejt përmbysjes së rendit të vjetër botëror. Për shkak të lëvizjeve të lartpërmendura bota po shkon drejt krijimit të qendrave të reja të fuqisë dhe gjeopolitikës, përveç asaj amerikane. Teksa Kina thuajse është e qartë në qëndrimet e saj, ku ka si mbështetës të palëkundur Rusinë dhe Korenë e Veriut, SHBA po ndjek një tjetër linjë duke krijuar partneritete dhe bashkime fuqish, të cilat do ti përdorë ato për thyerjen e shpejtë të rendit botëror. Presioni ndaj Europës për besnikëri, ngritja e një korridori transporti përmes Izraelit dhe Greqisë për transportimin e mallrave të Indisë janë dy nga planet që duken haptazi.
Pozicioni i Turqisë si një aktor i fuqishëm gjatë lëvizjeve të fundit në arenën ndërkombëtare
Ndërsa këto dy superfuqi bëjnë lëvizjet e tyre në shah, patjetër që ka edhe lojtarë të tjerë me potencial të madh dhe me background të padiskutueshëm që po vëzhgojnë me kujdes çdo lëvizje. Zhvillimet politike në Lindjen e Mesme dhe politikat e zbatuara nga ish-republikat turke e tregojnë hapur këtë gjë. Në këtë kaos dhe proces prishjeje të rendit të vjetër botëror Turqia, përmes lëvizjeve politike, ekonomike dhe ushtarake, ka arritur me sukses të mbledhë rreth saj disa vende. Krijimi i Bashkimit të Republikave Turke, lufta në Azerbajxhan, zhvilimet në Libi, Somali, Irak, dhe së fundmi lëvizja e mahnitshme dhe e mirëllogaritur në çdo detaj në Siri, tregon se Turqia është një pol tjetër fuqie, e cila po përfiton mjaft nga kjo situatë.
Loja politike e Turqisë ka shumë të panjohura, të cilat mendoj që do të lexohen në të ardhmen, por duke u nisur nga ato që ne po shohim mund të themi se të paktën deri më sot Turqia ia ka arritur që të kthehet në një destinacion jo alternativ, por kryesor ekonomik dhe transporti nga lindja në perëndim si dhe nga veriu në jug të globit.
Kjo do ta fuqizojë shumë rolin e Turqisë në të ardhmen, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, ajo do të vijojë të ruajë ‘paprekshmërinë’ e saj. Pikërisht ngaqë SHBA-ja parashikon këtë pozicion të saj në të ardhmen, ka nisur të ndryshojë qasje ndaj Turqisë. Krahas zhvillimeve ekonomike, investimeve strategjike dhe politike, Turqia padyshim që po e çon pozicionin e saj shumë lart me hapa të sigurtë, duke e shoqëruar këtë gjë edhe me prodhimin e sistemeve të shumta të armatimeve moderne, shumica e të cilave ende nuk njihen botërisht…
Roli i Ballkanit në procesin e përmbysjes së rendit botëror
Po Ballkani ku ndodhet në këtë ndryshim? Vendet e vogla si ato të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe Greqinë, janë të detyruara tashmë të zgjedhin pranë cilit aktor të fuqishëm do të zënë vend. Lëvizjet e fundit të Greqisë për t’u afruar me Izraelin apo përpjekjet e Serbisë për t’u afruar edhe më shumë me Rusinë apo Kinën e tregojnë qartazi këtë gjë.
Cili është pozicioni i Shqipërisë dhe Kosovës?
Ndërsa Kosova mund të thuhet se tashmë është ulur në prehërin e SHBA-së, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ende asnjanëse ose ende nuk kanë zgjedhur cilën forcë botërore do të mbështesin. Edhe pse në arenën politikë Shqipëria njihet gjerësisht si admiruese e SHBA-së dhe politikave të saj, aktualisht veprimet do të thoja fëmijërore dhe të pamenduara mirë politikisht për t’iu afruar Izraelit me të vetmin qëllim për t’i bërë përshtypje Trump-it apo ‘dhurimi’ i njërit prej ishujve perlë ndaj vajzës së tij, Ivankës, tregon qartë se Tirana është vonuar në lëvizjen e saj për pozicionim. Pa dyshim se veprime të tilla të nxituara mund të dëmtojnë interesat kombëtare të Shqipërisë, pasi afrimiteti i pallogaritur mirë me Izraelin mund të çojë drejt pranimeve ekstreme dhe të detyrueshme të disa gjërave që nuk janë në interes kombëtar, në lidhje me çështjet e hapura me Greqinë, pasi Greqia tashmë e ka zgjedhur Izraelin. Jo vetëm kaq, por afrimi në mënyrë të tërhortë me SHBA-në, nëpërmjet Izraelit dhe Greqisë, mund të çojë gjithashtu në ftohjen e marrëdhënieve me Turqinë, marrëdhënie që tashmë kanë arritur në nivelin e partneritetit strategjik dhe që nga shumë analistë historianë shqiptarë apo evropianë, i vlerësojnë si garanci kundër agresionit të mundshëm grek.
Kosova nuk e ka ndjekur shembullin e Shqipërisë në këtë pikë, si rrjedhojë ka treguar maturi dhe mençuri në gjithë këtë vorbull duke iu afruar SHBA-së dhe Turqisë njëkohësisht, kështu ka arritur të formojë ekuilibre majft efikasë për mbrojtjen e vendit dhe të ardhmen e tij kryesisht nga presioni i vazhdueshëm i shtetit fqinj, Serbisë.
Në pikëvështrimin e formimit të një rendi të ri botëror, në të cilin formimi nga Trump i Këshillit të Paqes për Gazën u bë edhe një shtytje më shumë, aktorë të hershëm në lojë, ashtu si Britania e Madhe apo edhe vetë Europa, ende nuk kanë treguar lëvizjet e tyre pararendëse të politikës së dhjetëvjeçarit në vijim. Ndoshta i vetmi përjashtim që mund të citohet në këtë pikë është pikërisht marrëveshja BE-Indi, e bërë jo si alternativë ndaj SHBA-së, por si shenjë besnikërie ndaj saj.


