MPJ turke thirrje EBA-së të heqë dorë nga qëndrimi armiqësor kundër Turqisë

Zëdhënësi i ministrisë, Hami Aksoy, publikoi një përgjigje me shkrim pas një deklarate kundër Turqisë nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EBA-së

Ministria e Jashtme turke i ka bërë thirrje qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) “të heqë dorë nga qëndrimi armiqësor kundër Turqisë dhe të dijë vendin e saj”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i ministrisë, Hami Aksoy, publikoi një përgjigje me shkrim pas një deklarate kundër Turqisë nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EBA-së.

Aksoy tha se qeveria turke gjithmonë ka respektuar unitetin politik dhe integritetin territorial të vendeve arabe dhe në këtë drejtim, mbështet qeverinë libiane të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB).

“Deklarata e sotme e Ministrisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EBA-së është përpjekje për të fshehur politikën hipokrite të një vendi që ofron çdo lloj mbështetje për puçistët”, tha Aksoy.

Ai theksoi se Turqia radhitet në anën e legjitimitetit në Libi dhe mbështet përpjekjet për zgjidhje politike, duke shtuar se ky qëndrim i Ankarasë do të vazhdojë edhe më tej.

“Akuzat skandaloze dhe të pabaza rreth Turqisë nga ana e qeverisë së EBA-së, në thelb janë prodhim i motivit për të mbuluar aktivitetet shkatërruese të këtij vendi”, deklaroi Aksoy, duke theksuar se EBA prej vitesh ka siguruar armë, furnizime ushtarake dhe mercenarë për puçistët në Libi.

Aksoy më tej nënvizoi se bashkësia ndërkombëtare është në dijeni të veprimeve të EBA-së që prishin paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Libi, por edhe në Jemen, Siri dhe Bririn e Afrikës.

“Nuk është sekret që EBA mbështet aktivitetet separatiste në Jemen dhe grupet terroriste, veçanërisht Al Shaabab. Ritheksojmë që mënyra për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në rajon është përmes mbështetjes së Marrëveshjes Politike Libiane dhe Qeverisë legjitime të Pajtimit Kombëtar, dhe jo bandave jolegjitime që shënjestrojnë civilët pa dallim”, theksoi Aksoy.