Muslimanët australianë nderojnë viktimat e terrorizmit në Zelandë të Re

Gjatë namazit të xhumasë, qindra xhami në të gjithë vendin përçuan mesazhin e unitetit dhe nënvizuan se terroristët synojnë të ndajnë shoqërinë duke përhapur frikën

Muslimanët në Australi kanë falur sot namazin e xhenazes në mungesë, për të vrarit në sulmin terrorist në Christchurch të Zelandës së Re javën e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë namazit të xhumasë, qindra xhami në të gjithë vendin përçuan mesazhin e unitetit dhe nënvizuan se terroristët synojnë të ndajnë shoqërinë duke përhapur frikën.

Talha Bozkurt nga një OJQ rinore islamike në Australi, tha për AA se muslimanët nuk kishin aspak frikë për të mbushur xhamitë.

“Ngjarjet nuk rezultuan me dëshirën që e kishin terroristët”, tha Bozkurt, duke shtuar se qëllimi i sulmit ka qenë të frikësonte komunitetin musliman, në mëyrë që ky të mos shkojë në xhami.

Pas sulmeve terroriste, policia bëri roje gjatë namazit të xhumasë në Australi.

E premtja shënoi saktësisht një javë nga sulmet në të cilat u vranë të paktën 50 muslimanë, kur një terrorist hapi zjarr mbi besimtarët në xhamitë Al Noor dhe Linwood në Christchurch.

Masakrën e kreu Brenton Tarrant 28 vjeç, i lindur në Australi për çka aktualisht po mbahet në një burg të sigurisë maksimale në Auckland.

Zelandë e Re, transmetohet drejtpërdrejt ezani, kryeministrja citon profetin Muhamed

Xhumaja e parë në Zelandë të Re pas sulmit terrorist mbi xhamitë në Christchurch në të cilat u vranë 50 dhe u plagosën po aq muslimanë, u shënua me transmetimin e ezanit drejtpërdrejt në mediat shtetërore Radio “Zelanda e Re” (RNZ) dhe Televizionin “Zelanda e Re” (TVNZ).

Në mbarë Zelandën e Re janë mbajtur programe në shenjë përkujtimi dhe respekti ndaj viktimave të sulmit terrorist në xhaminë “Al Noor” dhe “Linwood”

Pasi përmes emetuesve publik u emetua ezani për namazin e xhumasë, në tërë vendin u mbajt dhënie respekt dy-minutësh për të vrarët.

Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern ishte pranishme në faljen e namazit të xhumasë në parkun Hagley në Christchurch.

Ardern në fjalimin e shkurtër para faljes së xhumasë, ku e citoi një hadith të të dërguarit Muhamed a.s, porositi se të gjithë besimtarët janë një trup.

“I dërguari Muhamed ka thënë: ‘Besimtarët njëri-tjetrit i shfaqin respekt, dhembshuri dhe simpati dhe ata janë si një trup. Nëse një pjesë e trupit është e sëmurë, edhe pjesët e tjera të trupit i bashkangjiten dhimbjes’. Zelanda e Re është me ju. Në pikëllim ne jemi një”, tha Ardern.

– “Na thyen zemrat, por nuk jemi të mposhtur”

Imami i xhamisë Linwood, Alabi Lateef Zirullah, thirri ezanin, ndërsa hutben e mbajti imami i xhamisë Alnoor, Gamal Fouda, duke falënderuar kryeministren dhe Qeverinë e Zelandës së Re dhe gjithë qytetarët për mbështetjen e treguar.

Duke theksuar se terrorizmi nuk ka ngjyrë, fe he komb, ai tha se pas sulmit terrorist u trgeua se Zelanda e Re është e pamposhtur.

“Bota te ne mund të sheh shembullin e dashurisë dhe unitetit. Zemra na është thyer, por nuk jemi të mposhtur”, tha ai.

– Gratë mbanin shami në shenjë mbështetjeje

Një numër i madh i grave në Zelandë të Re iu përgjigjën thirrjes së kryeministres Ardern dhe në shenjë solidariteti me muslimanët sot vendosën shami.

Zelandë e Re, varrosen 26 viktima të sulmit terrorist

Sot në Christchurch të Zelandës së Re u bë varrimi i 26 viktimave të cilët humbën jetën gjatë sulmit terrorist të javës së kaluar ndaj dy xhamive.

Sipas gazetës New Zealand Herald, mijëra persona morën pjesë në funeralin në Varrezën Memorial Park në Christchurch pas namazit të xhenazes.

Në mesin e të varrosurve gjendej edhe viktima më e re, Mucat Ibrahim, i cili ishte vetëm tre vjeç e gjysmë.

Një javë më parë, të paktën 50 muslimanë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur një terrorist, i identifikuar si Brenton Tarrant (28), i lindur në Australi, hyri në xhamitë Al Noor dhe Linwood në Christchurch të Zelandës së Re dhe qëlloi mbi adhuruesit, duke përfshirë katër fëmijë më të vegjël se 18 vjeç.